Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka blerë 2 mijë e 500 kamera vëzhguese, bashkë me pajisje përcjellëse, për të monitoruar dhe vëzhguar procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025, raporton Ekonomia Online.
Në total Kontrata ka kushtuar 699 mijë euro dhe atë e ka fituar Kompania “Besa Security”. Kontrata është nënshkruar më 31.10.2024.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se kamerat do të vendosen brenda vendvotimit, por sipas tij do të vendosen në atë mënyrë që do të garantojnë ruajtjen e integritetit të procesit të votimit dhe numërimit.
“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullësi me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese. Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese”, ka thënë Elezi.