KQZ publikoi rezultatet e zgjedhjeve: VV 42.30%, PDK 20.95%, LDK 18.27%, AAK 7.06%

Prishtinë | 15 Mar 2025 | 16:18 | Nga Gzim Mujaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti doli partia fituese me 42.30% të votave apo 396,787 vota, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u rendit e dyta me 20.95% të votave apo 196, 474 vota, duke siguruar 24 ulëse në Kuvend. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 18.27% të votave apo 171, 357 vota, duke siguruar 20 ulëse në Kuvend. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA) arriti të marrë 7.06% të votave apo 66, 256 vota, duke siguruar 8 ulëse në Kuvend.

Kryesuesi i KQZ-së ,Kreshnik Radoniqi, tha se vonesat në publikimin e rezultateve përfundimtare janë bërë për shkak të ndryshimeve ligjore dhe platformës elektronike të rezultateve. 

“Vonesat për shpalljen e rezultateve përfundimtare janë për disa arsye. Një nga arsyet ka të bëjë me zbatimin e ndryshimeve të shumta ligjore, të cilat kanë shtuar detyra për KQZ-në. Arsyeja tjetër ndërlidhet drejtpërdrejt me platformën elektronike të rezultateve. Problemet me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike na kanë detyruar që të shtojmë kontrollin e aktiviteteve edhe në Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë”.

“Pra, para publikimit të çdo rezultati ne është dashur që të bëjmë verifikimet tona duke i krahasuar statistikat me format e plotësuara gjatë numërimit dhe kjo sigurisht se ka marrë kohë deri në paraqitjen e rezultateve dhe ka zgjatur procesin. Pavarësisht këtyre problemeve, rezultatet që sot do t’i shpallim kanë ndjekur hapat e paraparë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në aktet nënligjore, si dhe në kushtet e një transparence të plotë”, ka thënë ai.

Radoniqi ka thënë se pas problemeve që janë shfaqur, KQZ ka ftuar institucionet kompetente për të sqaruar situatën dhe tashmë kjo është pjesë e hetimit që ato janë duke e zhvilluar.

“Ne jemi të vetëdijshëm se problemet me publikimin e rezultateve, edhe pse ato ishin preliminare dhe pa ndonjë efekt juridik, krijojnë mosbesim në procesin zgjedhor, por si institucion kemi krijuar procedura dhe akte nënligjore që mbrojnë integritetin e procesit zgjedhor edhe në rrethana të tilla”.

“Menjëherë pas problemeve që janë shfaqur, KQZ ka ftuar institucionet kompetente për të sqaruar situatën dhe tashmë kjo është pjesë e hetimit që ato janë duke e zhvilluar. Presim që këto institucione të dalin me gjetjet e tyre”, ka thënë ai.

Vlen të theksohet se në Kuvendin e Kosovës, nga gjithsej 120 ulëse 20 janë të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve pakicë. Kjo do të thotë se 100 ulëset e mbetura ndahen sipas rezultateve të partive politike shqiptare. Në këtë kontekst, LVV me 48 mandate, PDK me 24 dhe LDK me 20, përbëjnë shumicën e këtyre ulëseve. 

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 46.54%, një shifër kjo që tregon një interesim relativisht të ulët të qytetarëve për procesin zgjedhor.

Të ngjashme