KQZ s’voton për Listën Serbe: Vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm

Prishtinë | 31 Dhj 2024 | 15:15 | Nga Gzim Mujaj

Me hedhjen poshtë nga Gjykata Supreme e ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të PZAP-së që kërkon certifikimin e Listës Serbe dhe 48 kandidatëve të saj, është mbyllur çështja e pjesëmarrjes në zgjedhje të kësaj partie politike, raporton Ekonomia Online.

Lista Serbe dhe kandidatët e saj do të përfshihen në garën zgjedhore të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të datës 9 shkurt 2025.

Kjo vjen pasi që siç u tha në mbledhjen e KQZ-së nga kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm. 

Radoniqi tha se sipas ligjit jemi të obliguar ta zbatojmë vendimin e PZAP-së.

“Ky vendim është apeluar dhe Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën dhe me ketë, vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm. Kjo çështje është mbyllur duke u certifikuar Lista Serbe”, tha Radoniqi.

Fillimisht, mbledhja pasoi me ankesa nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët dolën sërish kundër, duke përsëritur aktivitetin politik të Listës Serbe dhe deklaratat e shumta të zyrtarëve të kësaj partie kundër shtetit të Kosovës.

Anëtari i KQZ-së nga VV-ja Sami Kurteshi, tha se vendimet e PZAP-së dhe Supremes janë të paplota dhe se këto vendime nuk kanë marr parasysh faktet që partia e tij i ka bërë për moscertifikim të Listës Serbe.

“I kam parë të dy vendimet. Të dy vendimet janë jo të paplota për arsye se nuk janë marr parasysh të gjitha faktet dhe dëshmitë për certifikim. Ka mjaft dëshmi fakte të cilat mund të argumentohet se pse nuk mund të certifikohet ky subjekt politik. Unë e kam fjalën kryesisht te dhuna që është ushtruar, motivuar e nxitur nga ky subjekt politik. Është hedhur eksploziv në zyrat e KQZ nga përfaqësuesit politik të këtij subjekti politik”, tha Kurteshi.

Anëtari tjetër i KQZ-së nga VV-ja, Alban Krasniqi, ka kritikuar edhe kryeprokurorin Blerim Isufaj, që nuk është duke ndërmarr masa ndaj Listës Serbe, për “krimet që ky subjekt është duke i bërë në veriun e vendit”.

“Valdete Daka përmes bisedimeve në Bruksel që e ka sjell ndër tavolinë dhunshëm bashkë me anëtarë e tjerë të asaj kohe, dhunshëm edhe me diplomat e kanë detyruar një institucion që të regjistrojnë si subjekt politik, një institucion paramilitar edhe e kanë bërë pjesë të institucioneve të saj dhe ku edhe sot vazhdojmë që të ja shohim sherrin”, tha Krasniqi.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, tha se shumë nga çështjet e ngritura nga përfaqësuesit e partisë në pushtet qëndrojnë, por kujtoi se që nga java e kaluar institucionet e ndryshme të Kosovës si Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë apo Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, nuk kanë paraqitur të dhëna për kandidatët e këtij subjekti politik.

“Pajtohemi me shume çështje që u thanë. E dimë aktivitetin se çfarë bëjnë, por vendimet ligjore nuk na kanë lënë hapësirë që të vendosim por vetëm të diskutojmë. Në bazë të ligjit subjekte politike janë të certifikuara. Më befason fakti që nga vendimi i parë deri me sot organet kompetente të Kosovës, askush nuk ka privuar që të na bien dokumente për ligjshmërinë e këtyre njerëzve a janë të përfshirë në veprimet të jashtëligjshme”, tha Gashi.

Gashi kujtoi se Qeveria e Kosovës ka shpallur dy organizata terroriste pa pritur përgjigjen e institucioneve të drejtësisë dhe ka shprehur habinë se përse nuk e ka bërë këtë edhe në rastin e njëjtë.

Të ngjashme