Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë sot në seancën për tarifën ndaj Serbisë se kryeministri Albin Kurti duhet të marrë përgjegjësi e mos të sillet akoma si opozitar.
“T’i lëmë muhabetet e kota e argumentet e lodhta, se krejt këtu e dijmë që mbi të gjitha, sot është një arsye shumë e madhe pse duhet me u suspendu taksa menjëherë. Shtrëngohuni ju të koalicionit edhe folni drejt që arsyeja e vetme meritore për me e heqë taksën është kërkesa e SHBA-ve. Kaq! Puna është e thjeshtë. Vendimi është i juaji. Ose e hiqni taksën dhe jeni në linjë me Amerikën ose nuk e hiqni taksën dhe pozicionoheni kundër Amerikës. Ose, siç thotë Albin Kurti, Amelikes Amelikes. Se kohëve të fundit po e përmend me pak më shumë respekt se përpara”, tha Krasniqi.
“Kosova s’guxon me vazhdu me aventura në raport me partnerët ndërkombetarë e më së paku me Amerikën. Thirri mendjes Kryeministër, kudo qofsh tash, e merr përgjegjësi shtetërore se nuk je më opozitar. Nuk priten prej teje analiza e vjersha, po vendime e veprime. Mos e rreziko Kosovën me qenë në anën e atyre që s’e kanë mbështetjen e Amerikës. Shërbimi më i madh që mundet me ju ba Serbisë dhe Vuçiqit sot është nëse sot vepron kundër kërkesave amerikane”, tha Memli Krasniqi.