Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në vazhdën e vizitave të tij nëpër komunat e Kosovës, sot ka vizituar Komunën e Hanit të Elezit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi dhe ekipi i drejtorëve, që është shembull i respektimit të barazisë gjinore, ku 50 për qind e tyre janë gra.
“Pata kënaqësi të veçantë që të vizitoj Hanin e Elezit, të takoj kryetarin Ballazhi dhe stafin e tij të drejtorëve që është një kabinet i mrekullueshëm dhe që është shembull i mirë i barazisë gjinore, por edhe i kompetencës, i profesionalizmit dhe i përkushtimit për të punuar për qytetarët. Kryetari Ballazhi është i PDK-së, por sot është i të gjithë qytetarëve të Hanit të Elezit. Ashtu siç ka premtuar gjatë tërë fushatës, e ashtu siç po e dëshmon tash me punë.”, tha Krasniqi.
Pas vizitës në komunë, Krasniqi dhe Ballazhi kanë parë nga afër Qendrën e re të Kulturës, një projekt i nisur vite më parë kur PDK e udhëhiqte Ministrinë e Kulturës, e që ka përfunduar tani kur këtë komunë e udhëheq kryetari nga radhët e PDK-së.
“Kam thënë çdo herë që Hani i Elezit nuk duhet të jetë më vetëm një vendkalim. Ai duhet të kthehet në vendqëndrim që u jep perspektivë e mundësi qytetarëve të tij, por të rejave dhe të rinjve të Hanit të Elezit para së gjithash. Dhe sot, nga diskutimet që kishim me kryetarin, me stafin e tij të drejtorëve, por edhe nga vizitat që i bëmë në terren për t’i monitoruar punët që po bëhen, vërtetë u ndava jashtëzakonisht i kënaqur, sepse ato premtime që janë dhënë në fushatë po i shohim duke u realizuar për një periudhë shumë të shkurtër tashmë gjashtëmujore nga marrja e detyrës. Një nga këta shembuj është pikërisht kjo Qendër e Kulturës prapa nesh, që sot më vie mirë që u inicua nga një ministër nga radhët e PDK-së para pak vitesh, e po përfundon kur një kryetar komune nga radhët e PDK-së është duke e udhëhequr qytetin dhe vërtetë ky objekt, më shumë se objekt është një objektiv i arritur për t’iu ofruar qytetarëve të Hanit të Elezit atë që u ka munguar, një Shtëpi për Kulturën, Rininë dhe Sportin.”, theksoi Krasniqi.
Pas Qendrës së Kulturës, kryetari Krasniqi dhe kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi kanë vizituar punimet në përfundimin e projektit për Fabrikën e Ujit të Pijshëm dhe vendkalimet për qytetarë përgjatë hekurudhës, që do duhet të rregullohen për ta ndryshuar për të mirë situatën tek familjet dhe qytetarët e Hanit të Elezit.
“Pra, periudhë jo e gjatë, por punë konkrete, një përkushtim i fuqishëm i kryetarit dhe bashkëpunëtorëve të tij për të vazhduar përpara dhe pa dyshim një nevojë për një mbështjetje më të madhe për të cilën e sigurova kryetarin që si PDK do të bëjmë maksimumin brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mbështetur kërkesat legjitime të qytetarëve, sepse z. Ballazhi ka qenë kandidat i PDK-së, është kryetar nga radhët e PDK-së, por sot para së gjithash është kryetar dhe i pari i qytetarëve të Hanit të Elezit, i cili punon për ta pa asnjë dallim. “, tha Krasniqi.
Nga ana tjetër, kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi duke falënderuar kryetarin e partisë, Memli Krasniqi për vizitën, u zotua që do të punojë për qytetarët dhe me qytetarët, pa dallim
“Kryetar, faleminderit për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme. Siç kemi premtuar gjatë fushatës, unë me ekipin tim të drejtorëve, që përbëhet nga vajza dhe djem të ri, të përkushtuar e profesionistë, po punojmë në zbatimin e projekteve kapitale për hapjen e perspektivës dhe krijimin e mundësive për qytetarët e Hanit të Elezit, që komuna jonë të bëhet vendqëndrim për ta. Shpresoj të arrijmë aty ku duhet bashkë me qytetarët dhe të krijojmë një jetë më të mirë për ta.”, tha Ballazhi.