Krasniqi: Baca Adem e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës tek çdo kosovar

Prishtinë | 26 Kor 2023 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka kujtuar veprimtarin Adem Demaçi në pesëvjetorin e vdekjes së tij.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Adem Demaçi e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje e në çdo individ.

“Prandaj, kur pesë vite më parë ne humbëm një nga personalitetet më të veçanta dhe më të guximshme të popullit tonë, ai u largua vetëm fizikisht, sepse, tashmë Adem Demaçi u përket epokave. Nëpërmjet karakterit dhe vullnetit të palëkundur për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, Baca Adem e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje, në çdo individ”.

“Personalisht, edhe unë jam një nga miliona qytetarë shqiptarë të cilët janë frymëzuar nga jeta e Adem Demaçit. Meqë nuk do të kemi një personalitet të dytë si ai, na takon neve të përcjellim sa më mirë shembullin që ai dha: Të marrim vendime për të udhëhequr jo nga urrejtja, por, nga dashuria dhe të përpiqemi për një të ardhme që është e denjë për sakrificën e tij”.

“Prandaj, sot, në vend të përkujtimit, le të jemi falënderues që Adem Demaçi ishte pjesë e kombit tonë dhe jetoi për ne e mes nesh. Një njeri që mori historinë në duart e tij dhe përkuli harkun moral të universit drejt drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Të ngjashme