Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se seanca e thirrur për Telekomin, nuk e ka qëllimin e zgjidhjes së problemit të Telekomit, por këtë ai e quaji krizë të opozitës për të ngritur tema në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Kjo e tregon krizën e opozitës se kanë mbet pa tema, temat që kanë pasë në të kaluarën i kanë hargjuar dhe nuk kanë më tema. Jo që është shpikë tema e Telekomit sepse me Telekomin është marrë edhe legjislatura dhe qeveria e kaluar, por tash ky Kuvend e ka edhe një Komision Hetimor Parlamentar që e kemi votu dhe ky komision tashmë e ka fillu punën për t’i hetu dhe për të dalë me konkluzione dhe raport që do tu jepte përgjigje krejt këtyre hamendësimeve”, tha Krasniqi.
“…Opozita nuk e ka thirr këtë seancë me e dëgju kryeministrin, por kjo seancë është thirr me shkaktu mjegull. Seanca është thirr nga VV-ja dhe LDK-ja. VV-ja nuk ka qenë në pushtet dhe nuk mendoj që do të jetë, por LDK-ja që ka qenë në pushtet edhe sot me dalë me na kallxu do punë që nuk i kanë bë vetë. Kjo është vetëm një farsë dhe ndoshta një mungesë e temave që ua ka marrë koalicioni”.
Krasniqi tha se duhet ti lihet komisionit hetimor të dalë me raport për gjendjen e Telekomit e pastaj të marrin vendime.
“Duke e shpëtu Telekomin e shpëtojmë edhe postën sepse varësia e Postës nga përformanca pozitive e Telekomit është e 100 për qind. Kjo seancë nuk është bë me gjet ndonjë zgjidhje, është bë me bë zhurma dhe tema nëpër portale sot gjatë ditës. Nëse doni me bë diçka ndalemi te Komisioni Hetimor e pastaj marrim hapa të tjerë”.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se seanca ka ardhur si rezultat i kërcënimeve që Z-mobile i ka bërë Telekomit.
“Kjo seancë është thirr për shkak të kërcënimeve të fundit. Nëse qeveria hesht natyrisht që duhet të flasë Kuvendi. Duke u nis nga kërcënimet që Z-mobile i ka bë Telekomit ne e kemi thirr këtë seancë. Kjo seancë nuk do thirrej nëse ne do ta kishim një qeveri të përgjegjshme dhe që do respektonte rezolutën e kuvendit të korrikut 2018. Kontrata me Z-mobile është produkt i krimit të organizuar. 90 për qind e kontratave që i ka nënshkruar menaxhmenti i bordit e të tjerë janë të dëmshme nuk i kanë sjellë asnjë të mirë Telekomit, e kanë shty në borxhe. Prokuroria duhet të nis hetimet për atë kontratë të dëmshme. Ne s’jemi prokurorë, por po i shohim dëmet që këto kontrata i kanë bë Telekomit. Z-Mobile duhet të ndalohet me ligj dhe këtë do ta procedojmë së shpejti”, ka thënë Haxhiu, raporton EO.
E, ndaj saj, replikoi kryeministri i cili i tha se një deputet me kredibilitet është mirë mos me i shtrembëru faktet.
“Zonja Albulena Haxhiu etiketat e përgjithshme që i bëni nuk i bëjnë nder askujt, tregoni me emra. Ju tregova për Blerim Devollin ia njoh babën, nuk ia kam borxh atij a një tjetri me shkatërru një kompani publike. Mos bëni përgjithësime se nuk i bëjnë mirë as ju as askujt tjetër. Auditori i Përgjithshëm që e keni lypë, e kemi bë vlla nuk e di çka po doni. Pse se keni lyp dikë tjetër iu kishim plotësu dëshirën”, ishte përgjigjja e Haradinajt.
Edhe shefi i PDK-së, Memli Krasniqi iu përgjigj Haxhiut se kjo seancë është farsë.
“Ai gjysmë vajtimi patetik është vërtetimi që kjo seancë është farsë. Dje të kam thënë që e ke vetëm për me dalë me thënë që e ke thirr sindikatën e këta s’na lanë”, tha Haxhiu.
Por, Haxhiu pati një përgjigje.
“Është e rëndësishme sindikata, por ju nuk po doni me i dëgju sepse jeni përgjegjës, ju PDK, Hashim Thaçi, sepse kur është nënshkruar kontrata kryeministër ka qenë ai, prandaj nuk doni të dëgjoni asnjë kritikë”, tha Haxhiu.