Partitë në koalicionin qeverisës, por edhe ato nga opozita nuk i kanë numrat për ta zgjedhur Presidentin. E ky moment po vlerësohet si shumë i mirë për ta zgjedhur në krye të shtetit një person që nuk u përket partive politike, raporton Ekonomia Online.
Albert Krasniqi, drejtor i Programeve në Demokraci Plus dhe njohës i çështjeve politike, për Ekonomia Online, thotë se në bazë të forcave politike aktualisht për zgjedhjen e Presidentit duhet një konsensus i gjerë dhe kjo do të ishte e dobishme edhe për situatën që po kalon Kosova, përfshirë dialogun me Serbinë dhe Gjykatën Speciale.
“Është një momentum shumë i mirë, ku asnjëra prej forcave politike nuk munden të bëjë zgjedhjen e Presidentit, as ato të koalicionit qeverisës e as partitë opozitare, pra kërkohet konsensus më i gjerë jo vetëm një shumicë e thjeshtë parlamentare, dhe kështu të shfrytëzohet edhe ky momentum, duke pasur parasysh edhe momentumim politikë që po kalojmë si dialogu, Gjykata Speciale. Të ketë një president i cili vije jashtë partive politike i cili mund të unifikojë edhe skenën politike, por edhe një përfaqësim më të mirë të vendit në arenën ndërkombëtare. Kjo do të ishe një skenar më i sigurt për të zgjedhur një President në këtë moment, dhe pastaj fati i Qeverisë do të mbetej në atë nëse ka shumicë parlamentare”, ka thënë Krasniqi.
Por një konsensus i tillë deri më tani duket se është larg, duke parë qëndrimet e partive. E Krasniqi thotë se nëse partitë politike nuk e kanë ndërmend të arrijnë marrëveshje për Presidentit, atëherë duhet të shpërndahet Kuvendi, pasi nëse ndodh që të kalojë koha e përcaktuar me Kushtetutë për u.d së Presidentin dhe s’kemi një president të ri, vendi mund të hyjë një vakum institucional, pasi Kushtetua nuk parasheh zgjatje të mandatit e as vazhdim për ushtruesin e detyrës së Presidentit.
“Partitë politike duhet ta kenë parasysh që nuk është kohë e pafundme që ata të provojnë matematikat e ndryshme, duhet menjëherë të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit nëse e kanë ndërmend ta bëjnë këtë, ose të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje, për shkak se pas 6 muajve Kushtetuta nuk ka paraparë zëvendësim të ushtrimit të detyrave të Presidentit nga dikush tjetër, e as zgjatje të mandatit, që kështu neve mund të na qojë në vakum institucional dhe vendi të mos ketë President i cili do të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Qeverisë. Mbase Gjykata Kushtetuese mund të vijë me një interpretim, por në Kushtetutë nuk kemi një mënyrë të qartë se çfarë ndodh pas skadimit të këtij mandati pas 6 muajsh”, ka sqaruar Krasniqi.
Vjosa Osmani aktualisht është ushtruese e detyrës së Presidentes, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i të parit të vendit.
Ndonëse Osmanin për ta ushtruar një post të tillë e obligon Kushtetuta, “ngutia” e saj për të shkuar në zyrën e Thaçit kishte ngjallur reagime. Por sipas Krasniqit, Osmani nuk duhet patjetër të jetë në Presidencë e ta ushtrojë këtë pozitë, pas sipas tij, ajo të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe nga kabineti i Kryetares së Kuvendit.
Çfarë ka shkaktuar reagim në publik është marrja e menjëhershme dhe vendosja në zyrën e presidentit Thaci, për shkak se çështja ka qenë më ndjeshme, akuzat që janë bërë ndaj z. Thaçit dhe motivet që kanë quar deri tek dorëheqja, kanë bërë që në publik të kenë edhe reagime të tilla, mirëpo që znj.Osmani nuk duhet që patjetër të jetë në zyrën e Presidentin për t’i ushtruar detyrat e Presidentit, këtë mund ta bëjë edhe duke qëndruar në zyrën e saj, në kabinetin e kryetares së Kuvendit dhe kështu të vazhdojë agjendën e saj duke mos lënë anash as angazhimet që ka në Kuvend”, është shprehur Krasniqi.
Hashim Thaci kishte dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit më 5 nëntor, pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale. Përveç tij në Hagë janë edhe ish-figura tjera të larta të UÇK-së dhe skenës politike si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salim Mustafa, ndaj të cilëve po ashtu është ngritur aktakuzë.