Krasniqi: Ftoj Qeverinë të ndajë fonde financiare për komunat e prekura nga vërshimet, gjendja është e rëndë

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se situata në Komunat e prekura nga vërshimet vazhdon të jetë e rëndë.

Sipas tij, banorët e atyre zonave po përballen me mungesë të strehimit, ndërsa ka thënë se shtëpitë janë dëmtuar.

Me këtë rast, Krasniqi ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të ndajë fonde financiare për komunat e prekura nga vërshimet.

Gjendja e vendbanimeve të prekura nga vërshimet në Skënderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë. Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë.

Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta.

Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë.

Të ngjashme