Krasniqi i PSD-së: Albin Kurti nuk ka arsye të vaksinohet, e ka kryer virusin

Prishtinë | 29 Mar 2021 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Frashër Krasniqi nga PSD-ja ka reaguar pas njoftimit të Qeverisë se kryeministri Albin Kurti do ta marrë sot vaksinën anti-Covid.

Krasniqi në një shkrim në Facebook ka thënë se Kurti nuk ka arsye që të vaksinohet pasi që shton se ai e ka kryer tashmë virusin.

“Albin Kurti nuk ka asnjë arsye që të vaksinohet. Ai e ka kryer virusin, ndërkohë që Kosova ka marrë një numër jashtëzakonisht të vogël të vaksinave anti-Covid. Liderë të ndryshëm botërorë janë vaksinuar, ndër të tjera për të bindur qytetarët që të bëjnë të njëjtën gjë. Por ky kontigjent i vaksinave nuk është për vaksinim masiv. Është për punëtorët e shëndetësisë, të cilët s’kanë nevojë ta shohin Albin Kurtin tek vaksinohet, për t’u bindur që ta marrin vaksinën”, tha ai.

“Albin Kurti po e shfrytëzon privilegjin e pushtetit. Po vaksinohet, ashtu siç në qeverinë e tij të parë, ai dhe i gjithë stafi i tij i bënë testet para të gjithë qytetarëve të tjerë. Albin Kurti do që të tregojë që jeta më e rëndësishme në këtë vend, është jeta e tij, edhe kur kjo nuk është në rrezik. Edhe kur duhet t’ia rrezikojë jetën ndonjë qytetari tjetër që nuk do të marrë vaksinën që po e hargjon sot Albin Kurti”, ka shkruar ai.

https://www.facebook.com/FrasherKrasniqi20/posts/1179423802494276

Të ngjashme