Krasniqi: Isa Mustafa po e bllokon Kosovën me ata që ia gjuajtën shtëpinë me molotov

Prishtinë | 06 Gus 2017 | 10:03 | Nga

Njëri ndër themeluesit e LDK-së, profesori Milazim Krasniqi, ka thënë se “kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk e ka problem që ta bllokojë Kosovën bashkë me VV-në, që e sulmuan me mollotov edhe në shtëpi”.
Krasniqi në një shkrim autorial që e ka dërguar në lajmi.net ka thënë se problemi i vetëm i Isa Mustafës është që ta ruaj karrikën e të parit të LDK-së, edhe atë me ata që e sulmuan.

“Isa Mustafa është i interesuar të harrohet humbja e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Për të arritur këtë synim, atij i duhet të shkaktojë bllokimin e institucioneve, si në vitin 2014. Nuk e ka problem që këtë bllokim e bën së bashku me VV, njerëzit e së cilës e kanë sulmuar me mollotov edhe në shtëpi, e kanë sulmuar me gozhda në rrugë, ia kanë ngritur shtatëdhjetë akuza në prokurori dhe e kanë fyer me fjalët më të rënda. Problemi i tij i vetëm është si ta shpëtojë karrigen e kryetarit të partisë, qoftë dhe me ndihmën e militantëve të VV. Nuk e ka aspak problem se kështu po e fundos LDK-në edhe më shumë”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi më tej shkruan se Isa Mustafa nuk ka kundërshtar në LDK, sepse sipas tij, ka shumë frikacak që nuk kanë guxim ta sfidojnë.

“Nuk besoj se nuk ka figura që kanë ambicie për të marrë drejtimin e LDK-së. Të tillë ka, por duket sheshit se janë frikacakë. E duke qenë frikacakë, askush nuk mund të bëhet lider. Meqë Isa është i rrethuar nga bashkëpunëtorë frikacakë, që nuk guxojnë ta sfidojnë as humbësin, Isa Mustafa sërish i prin plot komoditet procesit të bllokimit të institucioneve. Duket se brenda LDK-së ai e ka cimentuar gjendjen, me instalimin e krahut të Riinvestit, me çka edhe ka imponuar një frymë të kundërt me frymën tradicionale të LDK-së, e cila ishte frymë tipike e kompromisit”.

Profesor Krasniqi konsideron se nëse dikush është në frymën Rugoviane, është Teuta e bija e presidentit historik të Kosovës.

“Unë nuk njoh në politikën e Kosovës një politikan që ka bërë më shumë kompromise se sa Ibrahim Rugova! Kujtoni qeverinë në ekzil: të gjithë ministrat ishin të grupimeve të tjera, vetëm Bukoshi i LDK-së. Kujtoni formimin e grupit 15: shumica absolute në atë grup ishin kundërshtarë të Ibrahim Rugovës. Kujtoni Konferencën e Rambujesë: Rugova duke qenë president i zgjedhur me votë direkte, bëri kompromis dhe e la vendin e kryesuesit të delegacionit. Kujtoni themelimin e qeverive Rexhepi e Haradinaj, me ç’rast ua la vendin e kryeminstrit dy partive rivale. Prandaj, në bazë të kësaj trashëgimie tipike rugoviste, nëse dikush ka mbetur rugovistë në LDK, është vetëm Teuta Rugova, e bija e presidentit Ibrahim Rugova, e cila këto ditë ka ofruar shembullin e kompromisit politik. Pavarësisht motiveve, të cilat nuk i di dhe s’kam si t’i komentoj, gjesti i saj është tipik rugovist”, ka shkruar Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme