Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” ka thënë se ka një dallim të madh mes situatës së tanishme të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, me situatat e kaluara. Sipas tij, dallimi është në pikënisjen e rrëzimit të qeverive, në vetë tekstet e mocioneve të mosbesimit.
Që nga rrëzimi i Qeverisë Kurti, më 25 mars, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar vazhdimisht emrin e mandatarit nga Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Teksa i pari i VV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se dëshiron zgjedhje posa të përfundojë situata me pandeminë e koronavirusit, Thaçi ka paralajmëruar që këtë javë “do të marrë hapa kushtetues për formimin e Qeverisë së re”. Është përfolur qe disa javë se Thaçi është i gatshëm t’ia japë mandatin partisë së dytë, LDK-së, nëse Vetëvendosje nuk ofron emrin e mandatarit. Partia e Kurtit ka thënë se kjo s’mund të bëhet nga Thaçi, duke u bazuar në aktgjykimin e rastit VLAN.
Tani, Krasniqi ka tërhequr një paralele të mocioneve të mosbesimit ndaj qeverisë 2020 me situatat në vitet 2010 dhe 2017. Sipas tij, më 2010 dhe 2017 në tekstet e mocioneve ishte kërkuar mbajtja e zgjedhjeve të reja, ndërsa tash thuhet se me këtë veprim “Kuvendi krijon mundësinë për formimin e një qeverie të re”.
“Ka një dallim substancial në mes të situatës së tanishme të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, me situatat e kaluara. Ky dallim është në pikënisjen e rrëzimi të qeverive, në vet tekstet e mocioneve të mosbesimit të cilat përmes votimit janë mbështetur nga shumica e deputetëve. Në dy rastet e kaluara (2010 dhe 2017), në tekstet e mocioneve të mosbesimit shprehimisht ishte kërkuar mbajtja e zgjedhje të reja. Madje në vitin 2010, data e zgjedhjeve veçse ka qenë e shpallur para se të ndodhte mocioni. U.D. së presidentit Jakup Krasniqi, veçse kishte ndryshuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Në situatën e tanishme, në tekstin e mocionit shprehimisht thuhet se me këtë veprim, Kuvendi krijon mundësinë për formimin e një qeverie të re. Mund të mos pajtohemi me formimin e një qeverie të re pa zgjedhje, por nuk mund të thirremi në standard të dyfishta, pasi kërkesat dhe rrethanat janë të ndryshme”, ka shkruar ai në Facebook.