Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook për kolonat e gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.
“Tash po e kuptoj edhe arsyen e vërtetë për të cilën Liburn Aliu ka vendosur të bllokojë me çdo kusht punimet në magjistralen Prishtinë – Mitrovicës, pasi që sipas tij Kosova është “shtet i përkohshëm”, e duke e trajtuar si të tillë nuk marrin me seriozitet as shërbimin ndaj vendit dhe popullit. Por kjo nuk do të kalojë, sepse populli nuk është dele siç e mendojnë ata. Populli e ka kuptuar të vërtetën e kësaj qeverie të turpit dhe mashtrimit dhe përgjigjen që do ta marrin në fund do të jetë goditje e papërballushme për ta”, shkroi Krasniqi.
Krasniqi thotë se “Është mjerim për qeverinë e cila injoron nevojat e banorëve të kësaj zone, të cilët si rezultat i mos përfundimit të punimeve po vuajnë humbje të konsiderueshme financiare, fermerët janë të bllokuar në aksesin e tyre të nevojshëm dhe qytetarët, veçanërisht tani ata nga mërgata që edhe atë pak kohë sa po arrijnë ta kalojnë në vendlindje, po iu humb në pritje nga kolonat në rrugë”.