Profesori universitar, Milazim Krasniqi, në një prononcim për Ekonomia Online, duke komentuar punën e kryeministrit Albin Kurti gjatë vitit që lamë pas tha se Qeveria ka bërë gjënë e duhur me ndalimin e referendumit dhe zgjedhjeve serbe në vend, duke shtuar se një gjë të tillë do të duhej ta bënin edhe qeveritë e kaluara.
Krasniqi u shpreh se vendimi për targat nga ana e Kurtit, duke kundërshtuar sugjerimet amerikane, e ka futur Qeverinë në një kurth që sipas tij, e ka shumë të vështirë për ta menaxhuar.
Ai tha se pas këtyre situatave është rritur presioni ndaj kësaj Qeverie si nga ana e Uashingtoni edhe e Brukselit, duke shtuar se atij do t’i duhet shumë energji për ta rikthyer besimin e këtyre dy fuqive të mëdha.
“Unë mendoj që Qeveria Kurti, ka bërë mirë që e ka ndaluar referendumin edhe zgjedhjet serbe në Kosovë dhe ajo ka qenë një gjë e duhur që do të duhet ta kishin bërë edhe qeveritë para saj”.
“Por mandej ka qenë vendim i gabuar, trashanik bile, fakti që filloj ta zbatonte në mënyrë të një anshme vendimin për targat në kundërshtim me sugjerimet amerikane dhe kjo tash e futi në kurth dhe vështirë e ka shumë ta menaxhoj tash këtë situatë sepse presioni mbi ta është rritur shumë, edhe nga Uashingtoni edhe nga Brukseli”.
“Unë mendoj se atij do t’i duhet shumë energji për ta rikthyer besimin e Uashingtonit dhe Brukselit ndaj tij dhe qëllimeve të tij”, tha ai.
Krasniqi theksoi se perëndimi është duke bërë një lojë për ta tërhequr Serbinë drejt vetes, pra për ta shkëputur atë nga Rusia.
Me këtë rast sipas tij, perëndimi është i gatshëm që të bëjnë lëshime ndaj Serbisë në Kosovë, raporton EO.
“Aq në tepër që perëndimi në fakt po bënë një lojë për ta tërhequr Serbinë drejt perëndimit, për ta shkëputur nga Rusia dhe në këtë rast janë të gatshëm që të bëjnë lëshime ndaj Serbisë në Kosovë”.
“Edhe konteksti gjeopolitikë është shumë i keq, i pafavorshëm për Qeverinë Kurti, këtu është dashur që Qeveria t’i analizoj, është dashur të dijë që perëndimi e ka interes strategjik largimin e Serbisë nga Rusia dhe në këtë rast është dashtë të dijë që ata mund të bëjnë lëshime, favorizime ndaj Serbisë nuk janë kalkuluar mirë edhe si pasoj tash është një gjendje më e vështirë e Qeverisë”, tha ai.