Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak nuk ua ka prezantuar draftin për Asociacionin, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se emisari i BE-së u ka thënë vetëm se drafti është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, këtë dokument qytetarëve e opozitës është dashur t’ua prezantojë Qeveria.
Krasniqi u shpreh i shqetësuar për mos bërjen publike të draftit duke dyshuar se aty mund të fshihet diçka, duke përdorur një shprehje siç tha ndërkombëtare “dreqi” fshihet në detaje.
“Ne patëm një takim me ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ishte një takim informues në lidhje me rrjedhën e procesit të javëve të fundit. Ai na informoi për hapat që janë ndërmarrë nga ana e tyre dhe po ashtu në terma të përgjithësuar shprehu qëndrimin e shteteve të BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë që drafti i Asociacionit që i është propozuar qeverisë është një draft që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që nuk shkon përtej vijave të kuqe”.
“Nga ana ime, shpreha qëndrimin e PDK-së që ka qenë dhe vazhdon të mbetet konsistent se ne besojmë që duhet të ketë një vendosmëri më të madhe për të shkuar përpara me proces, por mbi të gjitha të ketë më shumë transparencë sepse nuk po flasim thjeshtë për një marrëveshje në mesin e dhjetëra marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe diskutuar në të kaluarën, por po flasim për një nga pjesët me kontroverse që janë diskutuar dhe kanë preokupuar skenën politike të Kosovës për vite me radhë, pra draftin për themelimin e Asociacionit”.
“Në këtë kuadër mendoj që është për t’u kritikuar qasja e Qeverisë së Kosovës me mungesën e plotë të transparencës ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë sepse është e pamjaftueshme të thuhet që ky draft është apo nuk është në pajtim më kushtetutën, pa i lexuar nga një perspektivë edhe e ekspertizës kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes”.
Ai ka treguar se ka kërkuar nga Lajçaku që sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet nga ana e Bashkimit Evropian, raporton EO.
“Nuk e konsideroj që është një qasje e drejtë e aq më shumë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit kundër Kosovës, ku ne jemi të bindur që ishte një përfshirje e drejtpërdrejtë e shtetit serb, ndërsa nuk ka asnjë veprim në raport me Beogradin zyrtar. Kjo ishte një kërkesë të cilën shpresoj shumë që do të merret parasysh që do të ketë veprime konkrete për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës sepse i konsideroj që janë të padrejta”.
“Jemi në komunikim të duhur, por shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezente për arsye se nuk jemi të njoftuar në detajet, e siç thotë një shprehje: dreqi fshihet në detaje. Neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të Kosovës”.

