Fuqizimi i Listës Serbe në Kosovë, dhe frika që kanë shfaqur komunitet jo serbe për tendencat e kësaj liste për të marrë 2/3 e votave të komuniteteve në Kuvend , është rezultat i politikës naive që kanë bërë partitë politike shqiptare, vlerëson publicisti dhe profesori universitar Milazim Krasniqi.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online, thotë partitë politike shqiptare është dashur të punojnë me serbë dhe parti tjera lokale të cilat kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe ka njohur shtetin e Kosovës. Sipas tij, dështimi në këtë pikë ka bërë që të fuqizohet Lista Serbe, e cila është nën-kontrollin komplet të Aleksandër Vuçiqit.
“Kjo është një politikë naive, që kanë bë partitë tona shqiptare në vitet e kaluara, kur kanë qenë të fuqishëm këta politikanët lokal serbë që pranojnë institucionet e Kosovës, dhe nuk kanë punuar mjaftueshëm me ta, si pasojë e kësaj është rritur edhe ndikimi i Listës Serbe dhe tash ajo është listë që është komplet në kontrollin e Vuçiqit, dhe meqenëse është në kontrollin e Vuçiqit ata bëjnë politika vetëm me direktivat e Beogradit”, tha Krasniqi.
Ai tha që partitë politike duhet të gjejnë një formë partneriteti me partitë lokale serbe, dhe sipas tij, nëse ato do të fitonin ndonjë ulëse, atëherë lista serbe do ndryshonte komplet dinamika politike në vend.
“Unë besoj që institucionet, e partitë tona në këtë fushatë do duhej të gjenin një formë partneriteti me partitë lokale serbe këto që pranojnë pavarësinë e Kosovës që të fuqizohen dhe së paku po të merrnin tre a katër deputet ose dy- tre deputetë serbë së paku këtu lista, do ndryshonte komplet dinamika politike në Kosovë”, përfundoi Krasniqi.
Përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe në Kosovë, kanë ngritur dyshimet se Lista Serbe po tenton të marrë votat e 2/3 të minoriteteve, ku kanë përmendur edhe formimin e një iniciative nga Lista Serbe në Graçanicë.
Këto shqetësime i ka ngritur ish-deputetja nga komuniteti boshnjak Duda Balje si dhe Kryetari i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli.
“Muajve të fundit është themeluar një iniciativë që vjen nga Komuna e Graçanicës dhe kjo është një tentim e Listës Serbe që kjo iniciativë qytetare t’i merr votat nga komuniteti serb nga pjesë ku jetojnë ata, të cilët kushtëzohen për shkak se marrin paga dhe ndihma sociale”, ka deklaruar Kinolli për medie.
Përveç, problemit me Listën Serbe e cila tash e sa vite vepron në Kosovë me urdhrat e Beogradit, një çështje ende e hapur mbetet dialogu Kosovë- Serbi.
Për këtë çështje publicisti Krasniqi vlerëson se Serbia s’është e interesuar për marrëveshje me Kosovën e as për integrim në BE, por që vetëm luan lojëra, duke shtuar se këto lojëra të saj s’janë kuptuar nga politikanët tanë.
“Ky është një proces i komplikuar, mendoj që politikanët tonë deri sot nga i pari e tek i fundit nuk e kanë kuptuar realisht politikën e Serbisë. Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje, as për pranim në BE, për këtë arsye dhe e luan lojën, sepse Serbia ulet në tri karrige, ajo ka partneritet strategjik me Rusinë, ka partneritet me BE, dhe tash i ka përmirësuar marrëdhëniet edhe me Amerikën, pra ka një pozitë shumë komode dhe për shkak të kësaj nuk ka kurrfarë presioni ndaj Serbisë për të arritur marrëveshje me Kosovën”.
“Politikanët tonë gjithmonë kanë luajtur letrën e fundit që gjoja Serbia po donë marrëveshje dhe të ngutemi, unë mendoj që ngutia jonë duhet me qenë fuqizimi i shtetit të Kosovës, institucioneve tona, përmirësimi i pozitës tonë ndërkombëtare, ndërsa deri në vitin 2025 realisht nuk mund të pritet përveç nëse ndodh diçka e papritur ndonjë marrëveshje me Serbinë”, u shpreh Krasniqi.
Ai ka thënë se Serbia se pranon Kosovën pa kompromise të mëdha e që sipas tij, për një gjë të tillë Kosova s’është e gatshme.
“Serbia nuk e pranon Kosovën pa kompromise të rënda, Kosova nuk është e gatshme për kompromise të rënda, dhe për këtë arsye duhet të mësohemi të jetojmë me këtë konflikt që realisht është konflikt i hapur , menaxhohet nga bashkësia ndërkombëtare por nuk ka vullnet në Serbi së paku me Vuçiqin derisa është në krye të Serbisë për të arritur marrëveshje”, tha profesor Krasniqi.