Krasniqi: Marrëveshja e MSA-së dhe ajo e Uashingtonit, dy nga më të rëndësishme për Kosovën

Prishtinë | 04 Sht 2024 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se dy marrëveshjet më të rëndësishme për Kosovën janë: Marrëveshja për Stabilizim Asociim me BE-në e vitit 2015 në Qeverinë Mustafa dhe Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020 me Qeverinë Hoti.

Krasniqi ka thënë se marrëveshja e 4 shtatorit është historike, pasi sipas saj është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

“Nga shpallja e pavarësisë, dy marrëveshjet më të rëndësishme për Kosovën janë: Marrëveshja për Stabilizim Asociim me BE-në e vitit 2015 në Qeverinë Mustafa dhe Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020. E para vendos marrëdhënie kontraktuale formale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian sikurse çdo vend tjetër që aspiron anëtarësimin në BE. Ndërkaq, marrëveshja e dytë e vendos Kosovën në një tjetër trajektore të konsolidimit të shtetësisë dhe fuqizimit ekonomik”, ka shkruar Krasniqi.

Deputetja e LDK-së ka thënë se marrëveshja e nënshkruar para katër vitesh duhet të zbatohet, pasi është e domosdoshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Marrëveshja e 4 shtatorit është historike sepse është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në shtëpinë që ka sjellë gjithmonë gjëra të mira për Kosovën. Kryeministri Avdullah Hoti do të mbetet në histori për Marrëveshjen e Washingtonit. Lidhja Demokratike e Kosovës është lidhja më e sigurtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëveshjet në Shtëpinë e Bardhë i sjellin vetëm të mira Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet sepse është e domosdoshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Të ngjashme