Krasniqi: Mentaliteti i VV-së reflekton qëllimin që institucionet e drejtësisë të veprojnë në funksion të tyre

Prishtinë | 02 Jan 2025 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi ka reaguar pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në PZAP në lidhje me certifikimin e Listës Serbe.

Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se kur vendimet e institucioneve të drejtësisë janë në favor të VV-së, theksohet rëndësia e respektimit të rendit ligjor. Por, kur vendimet “nuk përputhen me interesat e tyre”, bëhet thirrje për shpërfillje.

“Kur vendimet e institucioneve të drejtësisë janë në favor të VV-së, theksohet rëndësia e respektimit të rendit ligjor. Por, kur vendimet nuk përputhen me interesat e tyre, bëhet thirrje të shpërfillen procedurat ligjore në emër të “interesit të përgjithshëm” (lexo: interesit të partisë).

Ky mentalitet reflekton një qëllim të qartë: që institucionet e drejtësisë të veprojnë në funksion të nevojave politike të partisë. Kjo qasje shihet edhe në synimet për reformën në drejtësi, e cila duket më shumë si përpjekje për të siguruar kontroll mbi këto institucione sesa për të përmirësuar pavarësinë dhe efikasitetin e tyre” – ka shkruar ai.

Madje, Krasniqi ka cekur se rreziku bëhet më i madh, kur mesazhe të tilla bëhen nga zëvendësministri i Drejtësisë.

“Rreziku bëhet edhe më i madh kur mesazhe të tilla bëhen nga zëvendësministri i Drejtësisë, i cili në teori duhet të jetë mbrojtës i procedurave ligjore. Por s’ka faj, sepse krahasuar me figurat e “regjimit të vjetër” siç është p.sh. Hajredin Kuqi, ky as rolin e asistentit të tij nuk do të mund ta kryente” – ka thënë ai.

Të ngjashme