Krasniqi: Ndalja e pagave është e padrejtë dhe e pamoralshme

Prishtinë | 14 Sht 2022 | 22:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur rreth situatës së grevave e në veçanti qasjes së Qeverisë ndaj sindikatave dhe grevistëve.

Kreu i PDK-së, Memli Krasiqi tha se këto sindikata, kryeministri Albin Kurti, dikur i ka pasur partnerë.

“Tani thotë se këto sindikata nuk janë mirë”.

Ai tha se ndalja e pagës nuk është e drejtë sepse në njërën anë, ata kanë të drejtë të hyjnë në grevë e në anën tjetër ia ndalë pagat.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Kosovës”, u shpreh Krasniqi. “Kemi pasur greva edhe ne kur ishim në pushtet, po nga këta njerëz. Ndoshta nuk kemi mundur të plotësojmë kërkesat në tërësi, por kemi dialoguar”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për RTK-në.

Kreu i PDK-së tha se nuk është e ligjshme ndalja e pagave ose ulja e pagave në këtë kohë krize.

“Kjo është e pamoralshme dhe e padrejtë”.

Ai u shpreh se aktet nënligjore nuk janë të sqaruara sa i përket grevave të tilla.

“Por përtej ligjit, këto veprime janë të padrejta”. Ai thotë se organizimi sindikal, funksionon brenda një demokracie.

Krasniqi deklaroi se nëse konstatimi i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, se grevat po shtyhen nga opozita për ta rrëzuar qeverinë, janë totalisht të papranueshme.

“Pse, a mbajtën apo organizuam ndonjë protestë apo diçka të tillë? Kjo është totalisht gabim”, tha kreu i PDK-së.

Të ngjashme