Kur kanë mbetur edhe 12 ditë deri në mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se nëse dështon Albin Kurti që ta formojë qeverinë, PDK do ta bëjë në një afat rekord dhe se do të duhen vetëm 48 orë për ta përfunduar këtë proces.
“Nëse Kurti do të dështonte, ne për 48 orë i takojmë [pakicat]. Për ne ka qenë e rëndësishme edhe para qytetarëve me tregu një shembull ndryshe prej Kurtit. Shembull të respektimit të vendit tonë, të ligjeve, të Kushtetutës sonë. Për 48 orë ne e kryejmë në momentin që Kurti dështon, për 48 orë me takime e me krejt bahen, veç ai e ka radhën”, tha kreu i PDK-së në Rubikon.
Ai tha se opsioni i vetëm në këtë situatë do të ishte Bedri Hamza kryeministër.
”Qëndrimi është Bedri Hamza kryeministër, nuk ka opsion tjetër. Qytetarët i kanë pasur dy opsione Albin Kurtin ose Bedri Hamzën, të tjerët kanë qenë aty por me fal, ka rend këtu. [Lumir Abdixhiku] Le të rri në opozitë, nuk është fundi i botës. Në opozitë nuk rrin hiç se shkon në zgjedhje të reja dhe nëse duhet shkuar në zgjedhje të reja edhe një herë, se po harrojmë që zgjedhjet e vjeshtës që i kemi dy runde në zgjedhje lokale, e prej ku jemi – vitin e ardhshëm zgjedhjet nacionale janë të pa shmangshme”, tha Krasniqi.