Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit, duke kërkuar që të ndiqet shembull i kësaj feste dhe të bëhen punë të mira për vendin.
“Në këtë ditë të shënuar të festës së Bajramit të Kurbanit, isha në Bashkësinë Islame të Kosovës, që në emër të Partisë Demokratike të Kosovës të uroj myftiun e Kosovës Naim Tërnava, si dhe të gjithë besimtarët e fesë islame në Kosovë, për këtë festë të madhe. Kurban Bajrami vërtetë e simbolizon solidarizimin, sakrificën, flijimin, vlerën e jetës dhe faktin që duhet të jemi sa më pranë njëri-tjetrit, e sidomos në këto kohë sfiduese nëpër të cilat po kalojmë”, tha kreu i PDK-së.
Krasniqi tha se të gjithë qytetarët duhet të marrin shembuj nga kjo festë dhe të jenë më pranë njëri-tjetrit dhe të bëjnë punë të mira për vendin.
“Në mënyrë të veçantë, në këtë festë i kemi në mendje edhe miqtë tanë që ende sot po mbahen në Hagë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve ua urojmë këtë festë nga larg, duke shpresuar që të bashkohen me ne sa më parë”, tha kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.