Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka vizituar fëmijët që po trajtohen në Klinikën Pediatrike në QKUK, të infektuar me COVID-19.
Ai në Facebook ka njoftuar se që nga korriku kur reparti për koronavirus ishte hapur, janë trajtuar 73 fëmijë.
Krasniqi ka bërë apel nga aty që gjatë festave të fundvitit të respektohen masat anti-COVID.
Postimi i plotë i Krasniqi:
Fëmijët dhe COVID-19
Të nderuar prindër,
Pandemia COVID-19, nuk kurseu as fëmijët tanë. Si në mbarë botën ashtu edhe në Kosovë një numer i fëmijëve u prek nga virusi SARS-COV2. Fatmirësisht, ky infeksion te fëmijët, me perjashtime të rralla, nuk paraqitet në forma të rënda.
Në repartin COVID të Klinikes Pediatrike të QKUK gjithsejt 73 fëmijë u trajtuan që nga muaji Korrik kur u hap ky repart
Sot, vizitova 3 fëmijët që aktualisht po trajtohen ne këtë repart. Edhe pse kishin vendosur maskat, buzëqeshja fare lehtë vërehej në fytyrat e tyre.
Vendosja e maskave nga fëmijët le të shërbejë si mesazh për të gjithë ne që edhe gjatë festave të fundvititit të respektojmë masat anti-COVID.
T’ua ruajmë buzëqeshjen fëmijëve tanë. Të ruajmë shëndetin e tyre dhe familjarëve e më të dashurve tanë.