Drejtori i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi ka thënë se KQZ është duke dështuar në procesin e votimit jashtë Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se gjasat janë të mëdha që mijëra qytetarë të humbin të drejtën e votës, sepse më nuk ka kohë as për ankesa.
“Çfarëdo lloj arsyetimi nga KQZ është vetëm tentim për t’i ikur përgjegjësisë”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i tij:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke dështuar ne procesin e votimit nga jashtë Kosovës.
Nga rreth 170,000 aplikime, prej 22 janarit e deri me sot, janë vlerësuar rreth 60,000 (35%), prej te cilave janë telefonuar rreth 45,000 (26%). Pra, janë mbi 100,000 aplikime (65%) për t’u vlerësuar dhe telefonuar kur kanë mbetur vetëm edhe 3 dite nga fillimi i votimit nga jashtë (2-12 shkurt), dhe vetëm 2 ditë nga koha kur KQZ duhet te publikoje listën finale të votuesve nga jashtë (edhe kjo pa lejuar afat për ankesa).
Gjasat janë të mëdha që mijëra qytetarë të humbin të drejtën e votës, sepse më nuk ka kohë as për ankesa. Krejt kjo dëshmon që vendimi për telefonimin e votuesve nga diaspora nuk ka qenë i menduar e as i planifikuar paraprakisht për t’u zbatuar. Çfarëdo lloj arsyetimi nga KQZ është vetëm tentim për t’i ikur përgjegjësisë.