Boksieri kosovar Robin (Haxhi) Krasniqi është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për meçin që nuk i sjell ndonjë përfitim të madh në karrierë, por që do t’i kushtonte shumë në rast të dështimit. Krasniqi të shtunën mbrëma në Magdeburg të Gjermanisë përballet me gjermanin Stefan Haertel. Junikasi 32-vjeçar do të mbrojë titullin e Evropës në kategorinë super të mesme, në versionin EBU.
Këtë titull Krasniqi, që jeton në Gjermani dhe bokson për këtë vend, e ka fituar më 2 qershor të vitit të kaluar, kur me vendim unanim mposhti Stanislav Kashtanovin. Titullin e ka mbrojtur më 17 nëntor po me vendim unanim ndaj Rony Landaetas. Në të vërtetë në nëntor, Krasniqi është dashur të boksojë me Haertelin, por ai hoqi dorë nga meçi për shkak të një sëmundjeje. Kështu në momentin e fundit u vendos për Landaetan, shkruan sot Koha Ditore.
Krasniqi ka boksuar dy herë për titull të botës dhe në të dyja rastet ka dështuar. Ai është i përkushtuar të fitojë për herë të tretë rastin që të sfidojë titullin e botës në një nga katër versionet e forta. Për të mbajtur ëndrrën gjallë, fitorja të shtunën në Madeburg është detyrë.