Krasniqi pas dështimit në KiE: Ditë e hidhur për Kosovën, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme

Prishtinë | 17 Maj 2024 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sot është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët e saj pasi sot dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Europës.

Krasniqi ka thënë se në vend se “të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”.
“Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi.

Gjithashtu, ai ka thënë se qasja në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Europiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

“Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, si PDK kemi insistuar menjëherë që Kosova të nis procedurat për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, duke e dhënë mbështetjen tonë të parezervë në çdo hap të këtij procesi. Fatkeqësisht, sot, dy vite më vonë, kur gjithçka ishte gati pasi kishim siguruar mbështetjen e nevojshme, për shkak të paaftësisë së plotë dhe papërgjegjësisë së skajshme të Qeverisë sonë, edhe kjo mundësi u humb. Akoma më keq, një rast i tillë nuk e dimë se kur do të na paraqitet prapë”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar, sepse, ata dhe shteti i Kosovës, kanë merituar më shumë dhe më mirë.

“Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur. Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”, ka përfunduar Krasniqi.

Të ngjashme