Memli Krasniqi është rizgjedhur sot kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Konventën e Përgjithshme të njëmbëdhjetë me radhë të kësaj partie. Me votim unanim nga delegatët, ai do të udhëheqë PDK-në edhe për një mandat të ri katërvjeçar, raporton Ekonomia Online.
Pas rizgjedhjes, Krasniqi falënderoi anëtarësinë për besimin dhe theksoi se këtë e sheh si një përgjegjësi të madhe për të ardhmen e partisë dhe të vendit.
“Më besuat sërish drejtimin e partisë, dhe këtë besim e marr me nder dhe përgjegjësi të lartë. Këto katër vite kanë qenë sfiduese, por gjithmonë kemi punuar e vazhduar me qëndrueshmëri, dinjitet e përkushtim. Kjo konventë nuk ishte vetëm rizgjedhje e imja apo një moment formal e solemn, ishte dëshmi e unitetit tonë e besimit të ndërsjellë. Votimi unanim ishte më shumë se legjitimitet për mua, sepse më ngarkoi për të pasur një vizion të qartë për rrugën përpara nesh. Kur Kosova edhe PDK ecin bashkë, ka vetëm një drejtim – ai është përpara”, deklaroi Krasniqi.
Ai tha se fakti që ishte kandidat i vetëm në garë për postin e kryetarit është tregues i unitetit të brendshëm në parti.
“Unë faktin që isha kandidati i vetëm e marr me përulësi si një unitet të fuqishëm të PDK-së, një besim rreth lidershipit tim për katër vitet e kaluara dhe për fazën e ardhshme po ashtu. Gara ka qenë e hapur, por nuk ka pasur një kundërkandidat, mungesën e të cilit po e shoh si një dëshmi shtesë të besimit dhe e cila më shton më shumë përgjegjësinë”, tha ai.
Konventa e PDK-së u mbajt sot në Prishtinë, ku morën pjesë delegatë nga gjithë vendi dhe figura të larta të kësaj partie.
