Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në mjediset e Kuvendit të Kosovës për të diskutuar për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka treguar në Konferencë për media se pas ftesës që ka pranuar nga kryeministri Kurti, për tu takuar në Qeveri në lidhje me procesin e Vetingut, sot e ka ftuar për takim kryeministrin Kurti në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror ku duhet të diskutohen dhe miratohen çështjet me interes vital për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në Opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, Kryetari Krasniqi ka thënë se, për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.
“PDK, si parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese, mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të vendit, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit”, ka përfunduar kryetari i PDK-së.
LEXO EDHE: