Krasniqi: PDK vazhdon t’ua besojë grave pozitat udhëheqëse në qeverisje

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se kjo parti është e fokusuar në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe në vendimmarrje, duke u dhënë besim grave dhe vajzave në pozita udhëheqëse në kuadër të qeverisjes.

Përmes një postimi në Facebook Krasniqi është shprehur se pas rezultatit në zgjedhjet e fundit lokale, Partia Demokratike e Kosovës ka emëruar gra të suksesshme në pozita të rëndësishme në udhëheqjen e komunave.

“Përtej kësaj, jam krenar që 37 gra e vajza nga PDK do të udhëheqin drejtori komunale, ndërsa 78 gra e vajza nga PDK janë zgjedhur asambliste nëpër komunat e Kosovës. Se PDK është parti që u jep vëmendjen dhe hapësirën e merituar grave, këtë e kemi dëshmuar në vazhdimësi, madje edhe gjatë përzgjedhjes dhe prezantimit të kandidaturave për zgjedhjet lokale. Ne kemi qenë partia e vetme me numrin më të madh të grave në garën zgjedhore, duke pasur katër kandidate për kryetare komunash, tetë bartëse listash për Kuvende Komunale dhe 324 kandidate për asamble komunale. Qasja e barabartë e burrave dhe grave në vendimmarrje është parakusht esencial për qeverisje demokratike dhe PDK do të jetë përherë promotore dhe bartëse e kësaj vlere.”, shkruan Krasniqi.

PDK ka emëruar Donjeta Sahatçiun nënkryetare të Prishtinës dhe Leonora Morina-Bunjakun nënkryetare të Gjilanit. Antigona Berisha-Bytyqi është zgjedhur kryesuese e Kuvendit Komunal në Prizren, Vesa Broja në Mitrovicë, Adelina Spahiu në Skenderaj, Arbënesha Kuqi në Gjakovë dhe Melihate Basholli-Latifi në Vushtrri.

Të ngjashme