Profesori universitar Milazim Krasniqi, në një prononcim për Ekonomia Online tha se anulimi i mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, është një lajm i keq për marrëdhëniet e dy shteteve. Sipas tij, të gjitha zhvillimet që po ndodhin në vend janë pasojë e një krize që e ka pllakosur Kosovën në veri.
Krasniqi pohoi se nga vlerësimet që po bëhen nga komuniteti ndërkombëtar fajtor është kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij. Ai theksoi se Kosova dhe Qeveria Kurti janë në rrezik që të sanksionohen dhe se duke marr parasysh që Shqipëria është duke adaptuar standardet e politikës euroatlantike është distancuar nga politika e kryeministrit.
“Çështja është që e gjitha kjo që po ndodh është pasoj e një krize që e ka pllakosur Kosovën në veri dhe vlerësimi që bëhet në komunitetin ndërkombëtar që për këtë krizë faktor është Albin Kurti dhe Qeveria e tij. Tash më janë shpalosur presionet dhe rreziku për sanksione ndaj qeverisë Kurti dhe Kosovës për këtë arsye. Ashtu që Shqipëri si anëtar i NATO-s dhe si shtet kandidatë për Bashkim Evropian ka adaptuar në këtë rast standardet e politikës të botës euroatlantike, pra është distancuar nga kjo politikë e Kurtit që po vlerësohet si konfliktuoze”, tha ai.
Krasniqi, shtoi se për anulimin e takimit nuk do të duhet që të ketë hidhërime, pasi sipas tij, nëse ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja janë duke insistuar që të de-eskalohet situata dhe kryeministri Kurti nuk po merr ndërmerr hapa, atëherë Shqipëria nuk ka pse të bëhet viktimë.
“Pa dyshim që është lajm i keq, është keq për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ne duhet të lejmë anash nostalgjitë dhe të pranojmë realitetin që bota euroatlantike ka standardet e veta të larta për lojalitetin, besnikërinë, për zbatimin e marrëveshjeve. Në këtë rast Shqipëria po aspiron që ti zbatoj ato standarde, kështu që nuk shoh ndonjë rast, apo arsye për hidhërim në raport me qëndrimin që ka adaptuar Shqipëria, sepse nëse ShBA-të, BE-ja dhe NATO po insistojnë që të de-eskalohet situata dhe kryeministri i Kosovës nuk po merr vesh, atëherë Shqipëria nuk ka pse të bëhet viktimë me një politikë që vlerësohet së është e gabuar”, tha ai.