Krasniqi: Për dy vjet në pushtet Kurti u brengos vetëm për imazhin e vet

Prishtinë | 03 Mar 2023 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Pajtimin për planin evropian më 27 shkurt në Bruksel, anëtari i Kryesisë së PSD-së, Frashër Krasniqi e vlerësoi si një degradim të madh për Republikën e Kosovës.

Sipas Krasniqit, kjo marrëveshje do e pamundësoj normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, derisa shtoi që do ketë vetëm proces të pambaruar të negociatave.

“Një marrëveshje e tillë përbën një degradim bukur të madh për Republikën e Kosovës, për shkak të së paku dy elementeve. E para është mungesa e njohjes dhe e dyta ka të bëjë me përmbajtjen e saj, të cilën e quajnë vet menaxhim ose dhënie më e madhe e autonomisë për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Kjo marrëveshje kështu siç është, i krijon bazat për një konflikt të vazhdueshëm, për një rritje të nacionalizmit të mëtutjeshëm dhe për një mos përmbyllje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Ne do kemi proces të pambaruar të negociatave”, deklaroi Krasniqi në emisionin “Ditari”.

Krasniqi vlerësoi se për të pasur fqinjësi të mirë dhe ecje përpara në aspektin ekonomik e social, Kosova dhe Serbia do duhej të gjenin zgjidhjen përfundimtare.

“Ndërkohë që Serbia nuk e ka njohur ende Kosovën, ajo vazhdon të ushqejë ëndrra tek serbët, që një ditë do ta kthejë Kosovën”, theksoi Krasniqi tutje në Tëvë1.

Ndër të tjerash, Krasniqi tha se kryeministri Kurti në këto dy vite në pushtet ka bërë veprime të cilat i kanë shërbyer vetëm imazhit të tij.

“Kurti në këto dy vite pushtet, ka bërë vetëm aventura dhe filma që i kanë shërbyer veç imazhit të Albin Kurtit. Pra, ai që dy vite u brengos vetëm për imazhin e vet, fare s’ka menduar nga po e çon Kosovën”, shtoi tutje ai.

Madje sipas tij, Kurti çdo herë shpik ndonjë konflikt në raport me serbët, vetëm për t’i shoshitur problemet e brendshme dhe mos veprimin e tij në fusha të rëndësishme të ekonomisë.

Të ngjashme