Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se pesë vjet më parë udhëheqësit kryesor të luftës çlirimtare shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, ankuar e pa kërkuar privilegje. Krasniqi teksa thekson padrejtësinë që po bëhet në procesin ndaj tyre, thekson se hsitoria nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë, dhe se ajo është e shkruar me gjak e sakrificë.
“Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës. Dhe kjo histori e vendit tonë nuk mund të rishkruhet në asnjë gjykatë. Ajo është shkruar me gjak, me sakrificë dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se Kosova nuk kërkon asgjë më pas sesa ajo që u takon bijëve të vendit të saj, pra drejtësi, të vërtetën dhe liri për clrimitarët.
“Për 1,826 ditë, ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, me durim e me besim. Për hir të së vërtetës dhe të drejtësisë. Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët”, përfundon shkrimin Krasniqi.

HASHIM THAÇI
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, pati thënë Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.
Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.
KADRI VESELI
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës, pasi ishte njoftuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.
“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme”, tha Veseli, përmes një deklarate për shtyp.
Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, deklaroi Veseli.
JAKUP KRASNIQI
Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020.
Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.
“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, deklaroi ai.
REXHEP SELIMI
Aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Rexhep Selimi e ka cilësuar “të padrejtë” dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat.
Sikurse Krasniqi, edhe Selimi më 4 nëntor njoftoi se kishte marrë konfirmimin për aktakuzën dhe ishte nisur drejt Hagës.
“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, kishte shkruar ai po atë ditë në llogarinë e tij në Facebook.
Në kohën kur u arrestua, Selimi ishte shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë që aktualisht është në pushtet – subjekt që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale.
Në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara, Selimi është shprehur i bindur se procesi gjyqësor do të tregojë se ai dhe UÇK-ja “nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”.
“Unë jam veç një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin [Ëesley] Clark, me NATO-n”, ka deklaruar ai.