Krasniqi për “Lojërat Olimpike Paris 2024”: Kosova është shembull për rajon, shpresojmë të kthehemi me tri medalje

Prishtinë | 27 Kor 2024 | 08:48 | Nga Diellza Gashi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, është shprehur optimist se sportistët kosovar do të kthehen me medalje nga Lojërave Olimpike “Paris 2024”, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Krasniqi ka thënë se Kosova është shembull i mirë për rajonin, ndërsa është shprehur falënderues ndaj Qeverisë për përkrahje ndaj sportistëve.

“Kosova është shembull edhe për rajonin sa i përket mbështetjes nga Qeveria, por dhe nga komiteti. Kjo është edhe një motiv shtesë për të gjithë sportistët që të punojnë edhe më shumë, sepse të jesh sportistë olimpikë nuk është lehtë kërkon shumë punë përkushtim, përgatitje, ushtrime ndoshta deri në tre herë në ditë dhe pa pasur motivim nuk është lehtë, dhe pa i stimuluar sportistët dhe trajnerët është e pamundshme”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar edhe për vendimin e KOK-ut për të ndarë bursa për trajnerët që arrijnë sukses në arenën ndërkombëtare.

“Komiteti Olimpikë i Kosovës për herë të parë i ndanë bursa edhe trajnerëve të cilët janë trajner që kanë rezultate evropiane botërore, mesdhetare. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse mbas Parisit 2024 do të na presin Lojërat Los Angelos, ku menjëherë mbas lojërave do të fillojë përgatitjet e garuesve tonë elitarë”, u shpreh Krasniqi.

Duke parë garën e fortë që po zhvillohet në këtë Olimpiadë, Krasniqi shprehet i kënaqur nëse arrijnë të fitojnë së paku një medalje. 

“Dëshira ime është që të gjithë garuesit të marrin medalje, unë dëshiroj që të më së pari të prezantoj Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, të na bëjë krenar është edhe fati në pyetje. Çdo medalje që të vjen qoftë argjend, bronze apo e artë të gjitha janë medalje olimpike, personalisht ndoshta edhe me një medalje do të isha i kënaqur sepse nuk është lehtë që të kthehesh prej një olimpiade me medalje sepse ka shumë shtete më shumë garues që shkojnë dhe kthehen pas asnjë medalje. Tash jemi mësuar në herën e parë kemi pasur me Majlinda Kelmendin, medaljen e parë historike që na ka bërë krenarë të gjithëve, po ashtu edhe në Tokio kemi marrë dy medalje, kështu që tani është hera e tretë. Dashtë zoti të kthehemi me tre medalje të paktën”, përfundoi ai.

Lojërat Olimpike Verore të vitit 2024 do të mbahen në kryeqytetin e Francës, Paris, kurse hapja solemne e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, është mbajtur të premten më 26 korrik dhe mbaron më 11 gusht.

Të ngjashme