Në prag të fushatës parazgjedhore, profesori universitar dhe analisti politik Milazim Krasniqi ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një realitet politik thellësisht abnormal në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje vetë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në rrethanat aktuale.
Sipas Krasniqit, partitë opozitare po sillen sikur vendi ndodhet në një normalitet demokratik, ndërkohë që kujtoi se Kosova ndodhet nën sanksione të Bashkimit Evropian, është e përjashtuar nga partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara, dhe po përballet me një nivel të lartë të korrupsionit qeveritar, shpërdorim të buxhetit publik dhe presion sistematik ndaj mediave dhe bizneseve.
Ai përmend gjithashtu refuzimin e kryeministrit për t’iu përgjigjur ftesave të prokurorisë, regjistrimin e organizatave që i cilëson si kriminale, si dhe një sërë vendimesh që, sipas tij, cenojnë rendin kushtetues dhe shoqëror.
“Në këtë pragfushate parazgjedhore partitë opozitare po flasin si për një realitet politik normal. Por realiteti politik në Kosovë është abnormal. Ja pse: Kosova është nën saksione të BE-së, e përjashtuar nga partneriteti strategjik i SHBA-së, me korrupsion qeveritar të tmerrshëm, me refuzim të Kurtit ndaj ftesës së prokurorisë, me shpërdorim të buxhetit nga një qeveri jolegjitime, me presion qeveritar ndaj medieve e bizneseve, me lloj lloj idiotësish administrative, deri dhe me regjistrim të organizatave kriminale që tentojnë ta detyrojnë popullin ta braktisë fenë e vet. Në këto kushte nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Ka vetëm legalizim të pushtetit korruptiv, abuziv, subverziv. Para zgjedhjeve këtu në Kosovë duhet të flasë drejtësia. Pa arrestimin e kryesve të krimeve ekonomike e administrative të pushtetarëve, nuk mund të ketë zgjedhje korrekte, sepse ata do t’i vjedhin edhe zgjedhjet, për t’i shpëtuar drejtësisë.
E dyta, SHBA, NATO dhe BE duhet të jenë të qarta: a duan të punojnë me një qeveri të korruptuar, të shfrenuar, e cila rrezikon edhe interesat strategjike të tyre, apo nuk duan. Nëse nuk duan, duhet ta thonë qartë. Njerëzit këtu i kuptojnë vetëm mesazhet e forta. Ato nuk i kuptojnë falë ndonjë edukimi solid demokratik, sepse nuk e kanë, po i kuptojnë ngase e dinë se Kosova pa mbështetjen e SHBA-së, NATO-s e BE-së dështon”, ka shkruar ai.