Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se institucionet e shtetit duhet të veprojnë me urgjencë pasi katër persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në tri raste të ndara në Vushtrri e Prishtinë.
Ai theksoi se Kosovën e ka kapluar pasiguria.
“Një ndjenjë frike dhe pasigurie ka zënë rrënjë në shoqëri, duke e bërë jetën e qytetarëve të rënduar nga ankthi dhe droja për të nesërmen. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e jashtëligjshme mund t’i marrë jetën në çdo moment, në rrugë, në shtëpi apo në vendin e punës. Nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje – nuk guxojmë. Nuk mund të heshtim. Shteti duhet të zgjohet. Institucionet duhet të veprojnë me urgjencë. Kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis – këto nuk janë thjesht politika, por çështje jete dhe vdekjeje”, shkroi në Facebook Krasniqi.
“Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave!”, shtoi Krasniqi.