Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka prezantuar sot Koordinatorin e Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Përparim Gruda.
Nëpërmjet një video prezantimi, Krasniqi u shpreh se për të përmbushur vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës për qeverisje të mirë, parakusht është sundimi i ligjit, një drejtësi e paanshme dhe efikase, që do të realizohet përmes Departamentit për Drejtësi.
Përparim Gruda është profesor i së Drejtës Kushtetuese, Gjyqësisë Kushtetuese dhe Filozofisë të së Drejtës në Fakultetin Juridik, ndërsa aktualisht po vazhdon kërkimet shkencore të post-doktoraturës në Universitetin e Grazit në Austri.
Ai ka shërbyer si këshilltar dhe ekspert ligjor në institucione shtetërore dhe organizata joqeveritare, duke ofruar ekspertizën e tij si një profesionist i dalluar në fushën e drejtësisë.
“Me përvojën dhe punën e tij intelektuale, së bashku me një ekip të përgatitur e profesional në kuadër të Departamentit për Drejtësi, Përparimi do të angazhohet për të quar përpara idetë që mund ta përmirësojnë dhe do ta transformojnë sektorin e drejtësisë, duke ofruar alternativa konkrete brenda Kabinetit për Qeverisje të Mirë.”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ndërkaq, Koordinatori i Departamentit për Drejtësi, Përparim Gruda, duke falënderuar kryetarin Krasniqi për besimin dhe përgjegjësinë, tha se rruga e integrimit të Kosovës në BE varet nga reformimi i sistemit ligjor dhe në arritjen e këtyre standardeve, kërkohet dije dhe vullnet politik.
“Kjo reformë, nuk mund të bëhet pa koordinim të plotë me aleatët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kjo reformë, nuk do të ketë karakter hakmarrës ndaj askujt dhe do të bëhet me konsensus maksimal politik. Këtë mund ta bëjë vetëm PDK. Ideali për drejtësi, është ideal i shumë brezave tanë. Është ideali i luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është ideal i përpjekjeve për pavarësi e shtetndërtim. Prandaj, unë bashkë me ekipin e ekspertëve në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, do të punojmë pafund çdo ditë për realizmin e këtij ideali të shenjtë”, theksoi ai.
Përparim Gruda është koordinatori tretë i prezantuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, disa ditë pas prezantimit të vizionit të KQM-së, që do t’i ketë 15 departamente.