Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka thënë se punën e kësaj qeverie më së miri e tregon Ura e Badovcit e cila ka mbi 18 muaj që nuk ka arritur të rregullohet.
Krasniqi theksoi se bëhet fjalë për një Urë 35 metra të gjatë, e cila është mbyllur për qarkullim qysh nga muaji maj i vitit të kaluar.
“Sot është thirr kjo seancë për të vazhduar një praktikë të stagnimit dhe regresit ekonomik. Një praktikë e instaluar tash e katër vite, një praktikë hartimit të buxheteve që po e çon Kosovën në një rrugë pa kthim të stagnimit dhe regresit ekonomik. Buxhetet e propozuara nga kjo qeveri, që gjendjen e rëndë të qytetarëve mundohen ta rregullojnë me lëmosha e jo me zhvillim e punësim. Buxhetet e njëpasnjëshme ku premtimet elektorale të fushatës së vitit 2021 vazhdojnë të përsëriten pa u realizuar asnjë, janë një mal i premtimeve dhe projekteve të parealizuara të cilat s’del kohë me i listu. Nuk ka shembull më të mirë që e pasqyron punën e kësaj qeverie të paaftë sesa Ura e Badovcit, po flas për një urë 35 metra. Kjo Urë është mbyll për qarkullim në muajin maj të vitit të kaluar, pra para 18 muajve”, tha Krasniqi.
Sipas Krasniqit, buxheti i vitit 2025 nuk ka asnjë investim të madh kapital, dhe se Qeveria Kurti i ka bërë vetëm dëm Kosovës, ndërsa përmendi masat e vendosura nga BE-ja të cilat vazhdojnë të jenë ende.
“Dhe sot kjo Urë ende nuk është përfunduar. Kjo është pasqyra më e mirë e punës së kësaj qeverie. Për katër vite me radhë, s’keni asnjë investim të madh në vend, në katër buxhetet e mandatit. I keni bërë dëm Kosovës, jemi në masa nga Bashkimi Evropian”, ka shtuar tutje deputetja e LDK-së.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Krasniqi tha se LDK-ja do ta rishikojë këtë buxhet dhe do ta kthejë shpresën me projekte zhvillimore.
“Qytetarët e Kosovës na kanë votuar për t’i përfaqësuar. Buxheti i Kosovës nuk është as i Albin Kurtit e as i Hekuran Muratit. Ky buxhet nuk ofron asnjë zhvillim, ndaj pas datës 9 shkurt, LDK do ta rishikojë këtë buxhet. LDK-ja do ta kthejë shpresën me projekte zhvillimore”, tha Krasniqi.