Krasniqi: Qeveria për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokëulur

Prishtinë | 02 Tet 2022 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka mirëpritur fillimin e vitit të ri shkollor më 3 tetor, pas vendimit të SBASHK-ut për suspendimin e grevës.

Por ai ka shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin e mësimdhënësve nga Qeveria.

“Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kokëlartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar”, ka shkruar Krasniqi, në faqen e tij në Facebook.

POSTIMI I PLOTË:

Jam shumë i lumtur që fëmijët po kthehen nesër në bankat e shkollës. Mirëpo, jam edhe i shqetësuar për modelin qeverisës që po instalohet. Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kokëlartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar.

E megjithatë, duhet ta rikujtojmë se, përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë. Por, ata meritojnë edhe trajtim të drejtë që e ruan dinjitetin e tyre. Prandaj, kërkesat e tyre, me apo pa grevë, duhet të adresohen dhe të plotësohen sa më shpejt.

Të ngjashme