Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke folur për mundësinë që po shqyrtohet nga MShT-i që prindërit t’i blejnë librat shkollor për fëmijët e tyre, por qe ato do të subvencionohen nga Qeveria, ka thënë se ky është skandal.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se kjo gjëja konkrete e paaftësisë për të qeverisur.
“Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas. Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, në çfarëdo aspekti. Për më keq, përmes veprimeve të tyre, kjo Qeveri vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit tonë”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka thënë se Kurti me këtë lloj qeverisje po e rëndom edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe po rrit numrin e atyre që lëshojnë vendin.
“Fjalët janë të mira, por qeverisja bëhet me punë, përgjegjësi e dije. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po detyrohen të zgjedhin në mes të tatimeve, sigurimit të ushqimit apo shkollimit të fëmijëve. Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë”, ka shkruar ajo.
Kritika për këtë ndaj MAShT-it ka dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se po shqyrtojnë mundësinë që mjetet për librat t’ia transferojnë prindërve për shkak siç tha ajo, të çmimit të lartë nga shtëpitë botuese.