Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe që bie ndesh me Kushtetutën.
“Fryma jonë kushtetuese e ka krijuar Kosovën shtet të qytetarëve dhe multietnik dhe në një shtet multietnik nuk mund të krijohen etnitete njëetnike, sepse është në kundërshtim edhe me frymën kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi versionin e parë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka vërtetuar se përmbi 23 herë ka jo përputhshmëri me parimet kushtetuese. Unë jam i thirrur të punoj dhe veproj në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”.
Ai, në një intervistë për Klan Kosovën, ka treguar nëse ka ose çfarë bashkëpunimi ka me komunat veriore të vendit.
“Unë si ministër dhe si ministri jemi përgjegjës për 38 komuna dhe nuk e bëj asnjë dallim edhe në raport me komunat e veriut. Unë nuk kam pasë vizitë specifike në komunat e veriut, është në agjendën time që të vizitoj edhe ato komuna. Kam arritur që të vizitoj një numër të vogël të komunave dhe të bisedoj me kryetarët për problematikat specifike dhe qeverisjen lokale në nivel vendi”.
A pritet të formohen komuna të reja në Kosovë?
“Unë kam bërë një vlerësim të kërkesave që kanë ardhur në ministri ndër vite për komuna të reja. Mund të them që ka kërkesa shumë dëshirore në kuptim që ne meritojmë të kemi një komunë për këtë ose atë arsye, por nuk ka një vlerësim të thuktë dhe te detajuar se pse duhet të formohet. Nuk është në agjendën tonë themelimi i asnjë komune të re”.