Krasniqi: Shëndetësia s’ka qenë asnjëherë më keq, si pasojë e virusit me emër Albin Kurti

Prishtinë | 29 Shk 2024 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se shëndetësia në vend nuk ka qenë asnjëherë më keq se sa tash nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për mungesë të sigurimeve shëndetësore, Krasniqi e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “virus”.

Kjo si pasojë e goditjes nga një virus i rëndë i cili njihet me emrin “Albin Kurti apo Vetëvendosje”, virus ky i cili ka depertuar në të gjitha poret e sistemit shëndetësor. Duke shkaktuar kaos gjithandej. E për fatin e keq, pasojat më të mëdha të kësaj gjendje alarmante po i vuajnë më së shumti qytetarët e vendit.

Merreni me mend, për 3 vite të qeverisjes janë ndërruar 3 ministra të Shëndetësisë dhe 4 drejtora të SHSKUK-së, ndërkohë prodhuan vetëm dështime”, ka thënë ajo.

“Për këtë nuk ka përgjigje askush, madje as Kryeministri i cili mund të ketë harruar që ka edhe atë pozicion, sepse nuk ka bërë asnjë lëvizje të vetme. Ndërkohë për t’ua edhe rikujtuar qytetarëve. Kosova vazhdon të përballet me mungesë të sigurimeve shëndetësore dhe pa sistem të informimit shëndetësor”, u shpreh ajo.

Të ngjashme