Situata me pandeminë COVID-19 po vlerësohet stabile nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi.
Krasniqi në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se situata është e qetë që nga janari.
“Kohëve të fundit kemi një gjendje më stabile, më të qetë sa i përket pandemisë me COVID-19, në Kosovë. Në fakt që nga 1 janari po mbushen dy muaj që kemi situatë më të qetë, për faktin se kemi numrin më të vogël të rasteve të reja të infektuarve dhe kjo përcillet pastaj me numrin më të vogël të pacientëve që kemi të shtrirë nëpër klinika të QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur se gjatë muajit nëntor dhe dhjetor, numri i pacientëve me COVID-19 të shtrirë nëpër spitale ka qenë më i lartë.
“Në fakt ne gjatë muajit nëntor dhe dhjetor kishim numrin më të madh të rasteve kur kishim arritur deri në 1 mijë e 10 pacientë që kishim të shtrirë nëpër klinika, kurse aktualisht numri i të shtrirëve në dy muajt e fundit sillet rreth 500 pacientë”, potencoi ai.
Krasniqi tha se sipas raportit të fundit në klinikat e QKUK-së dhe spialet e përgjithshme janë të shtrirë 521 pacientë me COVID-19.
“Nga raporti që sapo mora nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme kemi 521 pacientë gjithsej të shtrirë në nivel vendi, nga ta 30 janë në gjendje më të rëndë, që janë duke u trajtuar në reparte intensive. Gjashtë nga ta janë në gjendje kritike, janë të intubuar të kyçur në respirator dhe 24 pacientë janë me metodën e asistimit të vetilimit mekanik. Ndërkohë, 360 pacientë i kemi me oksigjeno-terapi të vazhdueshëm. Pra, gjendjen e kemi më stabile dhe ky numër është duke u sjell rreth 2 muaj me radhë tani”, është shprehur Krasniqi.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri i personave që kanë rezultuar pozitivë me coronavirus kalon shifrën mbi 66 mijë, për këtë Krasniqi thotë se numri i saktë i të infektuarve nuk mund të dihet, pasi disa pacientë e kalojnë virusin pa simptoma.
“Në fakt ky numër është numri që ka rezultuar nga testimet, sepse nuk mund ta dimë asnjëherë numrin e saktë të të infektuarve, pasi në pandemi një numër i madh i pacientëve mund ta kalojnë edhe pa simptoma. Ne mund të supozojmë për numrin e të infektuarve, për fatin që COVID-19, në disa raste mund të kalojë pa simptome fare ose mund të kalojë me simptoma të lehta. Sidoqoftë, është një numër relativisht i madh i të testuarve deri tani, që ka arritur shifrat gati 300 mijë dhe institucionet përkatëse në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, e kanë përgjegjësinë dhe janë duke e përcjellë me vëmendje situatën”, ka thënë ai.
Gjatë intervistës, Krasniqi ka folur edhe për variantin e ri të COVID-19, masat anti-COVID, si dhe për tubimet që kanë mbajtur subjektet politike në kohë të pandemisë, duke shtuar se këto tubime mund t’i kontribuojnë rritjes së rasteve pozitive me virus.