Numri i madh i rasteve të reja të të infektuarve me COVID-19 dhe rritja e numrit të të hospitalizuarve, kanë krijuar një situatë të rëndë në sistemin shëndetësor.
Kapacitetet spitalore, pothuajse janë në limit, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.
Ai shton se mbi 80 për qind e pacientëve me COVID-19 të shtrirë në spitalet dhe klinikat e QKUK-së, po trajtohen me oksigjenoterapi.
Krasniqi, kërkon që të respektohen masat, siç është mbajtja e maskës, distanca fizike dhe higjiena personale. Sipas tij, nëse këto nuk japin rezultatin e vet, atëherë duhet të mendohet edhe për masa të tjera se si të ulet lakorja e të infektuarve.
” Sa i përket situatës, është e rënduar në kuptim të numrit të madh të pacientëve që i kemi të shtrirë dhe po ashtu të gjendjes së rënduar të tyre. Pothuajse, mbi 80 për qind e të hospitalizuarve po kërkojnë oksigjenoterapi dhe janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme. Sa i përket medikamenteve, tash e kemi stabilizuar furnizimin me medikamente në masë të madhe, e në veçanti ato që janë bazike dhe që janë në udhërrëfyesin e protokollit klinik. Pothuajse të gjitha barnat në përjashtim të Remdesivirit dhe të një apo dy antibiotikëve, të tjerat janë të disponueshme në klinikat dhe spitalet e QKUK-së. Keni parasysh se këta pacientë, në veçanti të moshuarit, përveç COVID-19, kanë edhe sëmundje tjera dhe marrin edhe terapi tjetër dhe sigurisht që ato që nuk janë në lista kanë nevojë që t’i blejnë. Por, barnat të cilat përdoren për mjekimin e COVID-19, i kemi të siguruara, përveç atyre përjashtimeve që ju thash”, ka thënë ai.