Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është takuar sot me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Krasniqi ka bërë të ditur se në këtë takim kanë biseduar në lidhje me intensifikimin e raporteve ndërmjet dy shteteve dhe se ka falënderuar ambasadorin për punën dhe angazhimin e tij për temat ekonomike.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
Pata kënaqësinë të pres në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, me të cilin biseduam për bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës dhe Italisë dhe mundësinë e intensifikimit të këtyre raporteve.
Ambasadorin De Riu e falënderova për punën dhe angazhimin e tij për sjelljen e investitorëve italianë në Kosovë, që do të ketë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik të vendit.
Partia Demokratike e Kosovës, si liderë e opozitës, do të vazhdojë të angazhohet në ruajtjen dhe kultivimin e raporteve të mira me partnerët tanë ndërkombëtarë.