Kratomi, bima që trajton varësin nga droga apo ilaçi i rrezikshëm për shëndetin

Prishtinë | 10 Shk 2019 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Ishulli i ngrohtë dhe i lagësht i Borneos në Indonezi, është toka e prodhimit global të kratomit, një pemë e konsideruar nga disa si kura mrekulli për çdo gjë, nga varësia ndaj drogës e deri tek ankthi.

E konsideruar si pjesë e familjes së kafesë, pema është përdorur prej shekujsh në Azinë Juglindore dhe në Papua të Guinesë së Re për efektet lehtësuese të dhimbjes dhe si stimulant, por tani është duke u shitur në formë pluhuri dhe eksportohet në të gjithë botën, duke alarmuar njëkohësisht disa rregullatorë shëndetësorë që kanë ngritur shqetësime rreth sigurisë.

Kratomi stimulon receptorët e trurit njësoj si morfina, edhe pse prodhon efekte shumë më të lehta.

“Unë marr kratom dhe nuk kam pasur probleme. Çdo lloj ka përfitimet e saj – disa ju ndihmojnë të relaksoheni, të tjerët mund ta trajtojnë pagjumësinë ose të trajtojnë varësinë nga droga. Disa ndihmojnë në rritjen e qëndrueshmërisë”, tha për AFP, kultivuesja e kësaj bime Faisal Perdana.

Bashkëpunëtori i saj, Gusti Prabu, i cili tani eksporton 10 ton kratom në muaj, është dakord me pohimet e gruas.

“Paraardhësit tanë përdorën kratomin dhe nuk kishin efekte anësore negative. Kjo mund të ndihmojë në eliminimin e varësisë nga droga dhe në ndihmën e njerëzve për detoksifikimin”, shpjegoi ai.

Por popullariteti i saj shkakton gjithashtu shqetësime – pasi nuk ka pasur testime klinike për të vlerësuar sigurinë dhe efektet anësore të saj.

Kratomi është i ndaluar për konsumin e brendshëm në Indonezi, Malajzi dhe Tajlandë, edhe pse e para lejon eksportin e saj në formë të papërpunuar.

Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara, tani importuesi më i lartë, e lidhin konsumimin e bimës dhe derivateve të saj me dhjetëra vdekje, duke paralajmëruar se mund të përkeqësojë një epidemi vdekjeprurëse të opiumit.

Image

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme