Kreditë konsumuese shpesh sjellin një barrë të rëndë financiare për qytetarët, duke thelluar borxhin personal dhe duke krijuar varësi nga institucionet financiare për përballimin e nevojave të përditshme.
Grafiku (GAP) tregon rritjen e kredive konsumuese në Kosovë nga viti 2013 deri në 2023, me një trend të dukshëm në rritje të shumës së kredive të reja të marra nga qytetarët. Vlera e kredive konsumuese është rritur nga 189 milionë euro në 2013 në 608 milionë euro në 2023, një rritje e ndjeshme që tregon se gjithnjë e më shumë qytetarë po detyrohen të marrin kredi për të përballuar nevojat e përditshme.
Kjo rritje e kredive mund të lidhet ngushtë me krizën ekonomike dhe përballjet e vështira financiare që qytetarët po përjetojnë, duke i shtyrë ata drejt kredive si një mjet për të mbuluar shpenzimet e tyre. Pavarësisht kësaj rritjeje, normat efektive të interesit për këto kredi kanë rënë nga 11.6% në 2013 në 6.4% në 2023. Edhe pse ka një ulje të normave të interesit, ato mbeten relativisht të larta, duke rënduar mbi qytetarët që kanë nevojë për kredi.
Ky presion për të marrë kredi dhe normat e interesit, edhe pse në rënie, vazhdojnë të ndikojnë negativisht në gjendjen financiare të qytetarëve, duke i bërë ata të paguajnë më shumë për shërbime dhe të thellojnë më tej borxhin personal.
(Autori është kryetar i Forumit Intelektual E30)