Sot në Prishtinë u mbajt konferenca e përvitshme për shtyp e festivalit DOKUFEST në Prishtine, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 15 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 5-13 gusht në Prizren, Kosovë.
Drejtoresha e festivalit, Nita Deda, e nisi prezantimin e aktiviteteve shtesë të DokuFest, duke theksuar programin e pasur të filmave.
“Këtë vit, kemi shënuar numër rekord të aplikimeve, duke e bërë programin e sivjetmë më të madhin që e kemi pasur ndonjëherë, dhe sipas vlerësimit tonë, jashtëzakonisht kualitativ,” tha ajo. “Gjithashtu, këtë vit do të sjellim dy artistë të njohur botërisht, artistin sirian Omar Souleyman, dhe artisten libaneze Yasmine Hamdan, për koncerte të hapjes dhe mbylljes, si dhe bendin Super 700 të cilët do të kthehen në Kosovë pas një pauze të gjatë”.
Ndërsa Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i DokuFest, e vazhdoi prezantimin e programit.
“Përpos përzgjedhjes së madhe të filmave dokumentar të cilët janë ne kategoritë garuese, i kemi edhe dy kategori kushtuar filmbërësve të cilët kanë ndërruar jetë së fundi. Dy filmat më të njohur të regjisorit Iranian Abbas Kiarostami, Taste of Cherry dhe Close-Up, do të shfaqën në kategorinë të kushtuar këtij artisti”, tha ai. “Ndërsa regjisoren Chantal Akerman do ta nderojmë me premierën botërore të një intervisteje të dhënë në Prishtinë, një vit para vdekjës së saj, intervistë e cila do të shfaqët në kategori me dy filmat e saj të njohur”.
Selektori i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda, foli për filmat kombëtar të cilët do të kenë premierën në këtë edicion të festivalit.
“Për neve është me rëndësi që filmat kombëtar të kenë premierën në festivalin tonë, dhe për këtë arsye do të ketë 10 premiera të filmave kombëtar gjatë këtij edicioni të festivalit”, tha Karahoda. “Filmi i Ujkan Hysajt, Fjala e Dhënë, do të ketë premieren në festival. Gjithashtu, disa filma të tjerë të cilët nuk janë në kategori garuese do të kenë premieren në DokuFest, siç është filmi Home, një ko-produksion i DokuFestit i cili tani më është kualifikuar për Oscar dhe është nominuar për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit (EFA)”.
Drejtori ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani, foli për programin e pasur të paneleve të cilët janë pjesë e programit përcjellës të festivalit.
“Për pesë ditë rresht në orën pesë kemi panele të kuruara me kujdes, duke trajtuar temën e sivjetme të festivalit nga perspektiva të ndryshme – qoftë nga perspektiva e lëvizjeve protestuese në rajon të cilët luftojnë pasojat e korrupsionit, apo nga perspektiva e keqpërdorimeve në sektorin e furnizimit të rrymës. Gjithashtu do ta keni mundësinë e veçantë të njoftoheni me përfaqësues të më shumë se 30 festivaleve botërore në ngjarjen Meet the Festivals, e cila do të organizohet në kuadër të DokuFestit të sivjetmë”, tha Bilibani Drejtori ekzekutiv gjithashtu shfrytëzoi rastin për të theksuar dëshpërimin e festivalit me mungesën e përkrahjes nga institucionet dhe vetë komuna e Prizrenit.
“Institucionet e Kosovës, në çdo rast e shfrytëzojnë mundësinë për t’u treguar krenar dhe për t’u lavdëruar me DokuFest. Por fatkeqësisht, këtë vit nuk kemi marrë asnjë përkrahje nga Ministritë përkatëse, duke u arsyetuar me procedura burokratike, përderisa Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës ende nuk i kanë transferuar fondet, duke e devaluar vlerën monetare te fondeve dedikuar Festivalit. Për më shumë Komuna e Prizrenit ka dështuar të sigurojë hapësirë punuese për zyrat e medias dhe mikpritjes, me arsyetimin se nuk janë aprovuar nga kryetari I Komunës”, tha Bilibani.
Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, shqyrtuar nga konteksti social, lokal dhe global, si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe ekspertë të ftuar ndërkombëtar dhe lokalë, punëtori dhe konferencë të teknologjisë. Një përzgjedhje e filmave që fokusohet në çështjen e Korrupsionit si dhe dy fenomeneve që shkojnë bashkë me të, Fuqisë dhe Gënjeshtrave (Power, Corruption and Lies), është kuruar posaçërisht për të përkuar me temën. Duke vazhduar bashkëpunimin e tij me DokuFest, regjisori Daniel Mulloy ka krijuar edhe një kampanjë vizuele goditëse që përputhet me temën e këtij viti.
View From The World, programi jo-garues i festivalit, prap do të sjellë disa nga filmat më të rëndësishëm të këtij viti në Prizren, përfshirë fituesit e Sundance, Berlinale dhe SXSW, ndërkohë eksplorimi i vazhdueshëm i Pamela Cohn i dokumentarëve për muzikë do të prezantohet në kategorinë Substancat Magjike: Muzika në Film, kategori e cila premton një shiqim emocionues dhe eksperiencë të dëgjimit kujtdo që i dorëzohet.
Festivali do t’i bëjë homazh mjeshtrit të madh të kinemasë iraniane dhe botërore, Abbas Kiarostami, i cili vdiq më 22 korrik të këtij viti, me shfaqjen e filmit të tij ikonik Taste of Cherry. Festivali po ashtu do t’i bëjë homazh Chantal Akerman, një tjetër mjeshtre të kinemasë e cila dhimbshëm vdiq vjet, me shfaqjen e filmit të saj të fundit No Home Movie si dhe shfaqjen e versionit të restauruar të kryeveprës Jeanne Dielman, 23 Commerce Quay, 1080 Brussels.
Një intervistë me Akerman, e xhiruar disa muaj para vdekjes së saj nga artisti nga Bosnja Ibro Hasanovic dhe me rastin e vizitës së Akerman në Kosovë, poashtu do të shfaqet. Filmat e shkurtë të nominuar për Oscar, filma për internet, për sulme masive me armë në SHBA, për një shkëmb të vetëvrasjeve në Japoni si dhe gjendjen e refugjatëve të cilët përpiqen të arrijnë Evropën, janë të gjitha pjesë e programit të edicionit jubilar të këtij viti. Plus shumë më tepër që mezi presim të ndajmë me publikun tonë. DokuKids, festivali i fëmijëve, gjithashtu feston vitin jubilar, duke i mbushur 10 vjet dhe do të sjell katër punëtori të cilat targetojnë grupmosha të ndryshme të fëmijëve.
Në njërën nga punëtoritë pjesëmarrësit e rinj do të përdorin ngjyra të neonit dhe forma të ndryshme neoni, duke kaluar kohë me bashkëmoshatarët e tyre. Pjesëmarrësit më të vjetër do të gëzohen me sfidën e të mësuarit të një koreografie baleti brenda pak ditësh, ose për mundësinë për të bërë një dokumentar të animuar duke ri-vizatuar imazhe në mur – në stilin e filmit “Muto”, tani një kult film i animuar nga artisti misterioz “Blu”. DokuFest-i i sivjetëm sheh rikthimin e fotografit të njohur Seamus Murphy në Prizren – këtë herë, për të nisur ekspozitën e DokuPhoto më 4 gusht.Murphy është një fotograf i shquar me një karrierë që tejkalon dy dekada, të fokusuar në Evropë, Lindje të Mesme, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Ekspozita e tij në DokuPhoto, e cila e ka hapjen një ditë para fillimit zyrtar të DokuFest, do të qëndrojë e hapur për tërësinë e festivalit dhe do të shfaqë fotografi nga botimi i tij “The Hollow of the Hand” (shq. Në gropë të dorës). Programin e koncerteve të muzikës DokuNights, do ta hapim me të jashtëzakonshmin nga Siria, Omar Souleyman, i cili do të na merr me furi në festën e tij të gëzuar më 5 gusht. Melodite fantashkencë të Blind Observatory dhe nostalgjia e tij për të ardhmen do të pasojnë, në një natë me qasje të plotë në kozmos.
Pjesa e butë dhe romantike e jona do të na theksohet natën në të cilën jemi nikoqirë të bendit përrallor Super700. Një natë po aq emocionuese do t’i përkushtohet bashkëpunimit me klubin Drugstore të Beogradit.
Tekno klubi underground më i mirë do te jetë nikoqir i natës me 3 DJ rezident të tij për të na zhytur në bas dhe elektronikë. Mbylljen e festivalit do ta bëjë artistja me renome botërore, Yasmine Hamdan, në natën finale të festivalit, dedikuar vetëm të dashuruarve.
Pasi që DokuFest feston ditëlindjen e 15-të, e kemi një dhuratë të bukur për ju. Programi jonë i muzikës po zgjerohet në një skenë të re muzgu, lart në kalanë e Prizrenit, duke ofruar pamjen më të bukur të qytetit dhe muzikë gjatë perëndimit të diellit.
Programi mbulon një përzgjedhje të gjërë të shijes muzikore ndërmjet shfaqjes së filmave dhe perëndimit të diellit.
Mos e humbni kryeveprën e iso-polifonisë nga Shqipëria, Jonianët.