Vizat për vendet e Schengenit nuk hiqen me një klasë politike që mendjen e ka te vjedhja. Kosovarët duhet të zgjohen nga kllapia dhe të gjejnë politikanë të tjerë.
Foli edhe Tanja Fajon. Tha s’ka heqje të vizave për kosovarët, palestinezët e Europës, nëse s’ia falni mijëra hektarë tokë Cërna Gorës. Fajon ka qenë gazetare tepër mesatare në Slloveni dhe ka përfunduar disi aksidentalisht si deputete në Parlamentin Europian. Tash tallet me Kosovën. Dhe kosovarët. Sllovenia është një shtet jo më i madh se Kosova me popullsi. Tanja Fajon tha se duhet të ulni kokën e të nënshtroheni, ju kosovarë të tmerrshëm. Jepni male për liri të lëvizjes. Jepni ara për liri të lëvizjes. Jepni çfarë keni. Zbrazni xhepat. Dhe Qeveria e Kosovës, e prirë nga tyxhari politik Isa Mustafa, dha gjithçka. Ashtu siç kishte urdhëruar Hashim Thaçi, i ashtuquajturi president i Kosovës, i zgjedhur me votat e deputetëve të LDK-së nga Llapi e Lushnja. Por të gjitha këto s’po bëjnë punë.
Falni pisha e ahishta, bungaja e qarrishta – prapë Tanja Fajon po ua tregon gishtin tregues. Pirdhuni! S’ka heqje të vizave për ju! Tanja po i trajton kosovarët si zhuganë të kontinentit. Cili është mësimi që duhet të nxjerrin kosovarët nga kjo përvojë tanjafajoniane? Ndoshta ky: vizat për vendet e Schengenit nuk hiqen me një klasë politike që mendjen e ka te vjedhja. Kosovarët duhet të zgjohen nga kllapia dhe të gjejnë politikanë të tjerë. Me hajdutë të tillë siç i kemi në pushtet edhe Turqia e Erdoanit një ditë do të aplikojë regjim vizash. Dhe Europën mund ta shohim vetëm në televizor ose duke pritur në radhët e gjata për viza.
S’ka heqje të vizave për kosovarët, sepse në ministrinë e tyre të Brendshme janë vjedhur disa kilogramë drogë. Kjo, vërtet, është e tmerrshme dhe edhe më e tmerrshme është që deri më sot nuk janë gjetur vjedhësit dhe fajtorët. S’ka heqje të vizave, sepse tenderi për pasaporta biometrike është grabitur nga kriminelët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët prej vitesh po i bëjnë konkurrencë regjimit të Slobodan Millosheviqit: kush e plaçkiti më shumë Kosovën? Gjeneratat e ardhshme, kur të bëjnë bilancin, nuk do të dinë të dallojnë mes shefave të PDK-së dhe të SPS-it.
Por, për hir të së vërtetës, zonja Fajon, ju që s’jeni kurrfarë zonje, duhet thënë se vizat ia keni hequr Serbisë, ndonëse Ivica Daçiqi, glasnogovorniku i Millosheviqit, është incizuar duke takuar baronë të drogës dhe jo do si do baronë, por të tillë që me anije sjellin drogë nga Amerika Jugore dhe ky krim i ka rënë në sy edhe Amerikës Veriore. Vizat i janë hequr Serbisë ndonëse ky vend ka për kryeministër një nxitës të krimeve të luftës, një që çirrej në parlamentin e Serbisë se për «një serb të vrarë do të vrasim 100 myslimanë». Jo, shokët e Aleksandar Vuçiqit nuk i vranë 100, por rrafsh 8 mijë myslimanë në Srebrenicë, 1600 mijë në Sarajevë dhe mijëra e mijëra civilë të tjerë myslimanë (boshnjakë) anëkënd Bosnjës.
Është humbje kohe t’i mbahen leksione për histori Tanja Fajonit.
Po, e vërtetë, Kosova ka një klasë politike të ndyrë, por a është më pak e ndyrë klasa politike e Tiranës (biznes me drogë, vjedhje, plaçkitje), a është më pak e ndyrë klasa politike e diktatorit të vogël maqedonas Nikolla Gruevski, a është më pak e ndyrë mafia e cigareve dhe çmendurive të tjera kriminale në Mal të Zi, a është më pak kriminale garda e banditëve të Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Rumanisë, Bullgarisë. (Këtë javë, zonja Fajon, ju që s’jeni fare zonjë, në Sofje u publikua një raport që thotë se në Bullgari korrupsioni po lulëzon si në vaktin e Baj Ganjos. Më duket humbje kohe t’ia shpjegoj anti-zonjës Fajon se kush ka qenë Baj Ganjo).
Do të tallen me kosovarët të gjithë politikanët e Europës, nga Sllovenia deri në Spanjë, për aq kohë sa shqiptarët kudo në Ballkan zemërohen me djemtë e politikanëve kriminelë dhe prapë politikanëve me djem kriminelë ua japin votën. Derisa të jetë kështu – s’ka as viza, as liri të plotë. Ka vetëm miliona që përfundojnë në xhepat e hajdutëve. Këtë e kanë kuptuar moti kosovarët. Kush e merr përgjegjësinë për të vdekurit në lumin Tisa? Kush e merr përgjegjësinë për 100 mijë kosovarë të ikur nga atdheu për shkak të një shteti në duar të mafies? Askush! Përveç anti-zonjës Fajon, asaj që tallet me ne dhe kërkon që t’i falen mijëra hektarë tokë Malit të Zi, ndërkohë që Sllovenia qe një çerekshekull shtyhet me Kroacinë për disa metra vijë bregdetare. Faleminderit me përbuzje, zonja Fajon! (dialogplus.ch)