Me rastin e Fitër Bajramit, në vend se të ketë lirime të artikujve ushqimorë, ka ndodhur e kundërta – tregtarët e kanë shfrytëzuar rastin të rrisin fitimet.
Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online kanë thënë se me pagat e Kosovës është vështirë e përballueshme rritja e çmimeve. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të këtë kontrolle më të shpeshta për parandalimin e këtij inflacioni.
Qytetari Lulzim Musa ka thënë se me rrogat e Kosovës është vështirë e përballueshme ngritja e çmimeve.
Tutje, Musa theksoi se subvencionet prej 100 eurove që ka ndarë qeveria janë shumë pak.
“Tash mbas festës së Fitër Bajramit fillojnë të zbresin çmimet. Aspak nuk janë të përballueshme këto ngritje çmimesh me këto rroga prezentë në Kosovë. Qeveria nuk ka çfarë të bëjë. Nuk mund t’i rregullojë gjërat për një kohë të shkurtër. Me qeverinë jemi dhe s’jemi të kënaqur për arsye se këto ndihma çka po ia japin popullit janë ndihma shumë të ulëta. Tash është edhe kriza në gjithë Evropën. Ka me zgjat kjo krizë bajagi shumë. Nuk ka shans që të zbriten çmimet sepse varemi nga importi”, tha Musa.
Kurse, qytetari tjetër Jashar xhemajli, ka thënë se jeta në Kosovë është bërë mjaftë e shtrenjtë, nisur kjo për faktin se ka ngritje të çmimeve. E vetmja zgjidhje afatgjatë, sipas tij, është të rregullohet papunësia në Kosovë.
“Ka pasur ngritje të çmimeve të krejt produkteve. Dhe është shumë shtrenjtë. Nga Qeveria kërkojmë kontrollim që të zbriten çmimet. Zgjidhja ideale me rregullu papunësinë. Këta po thonë se kanë punësuar qytetarë, por asnjë në punë nuk është”, tha Xhemajli.
Ndërsa, Fitim Krasniqi nuk i vë fajin qeverisë, pasi sipas tij, ky problem madhor është prezent në gjithë botën.
“Është shumë e vështirë për një pjesë të madhe të qytetarëve ngritja e çmimeve”.
“Nuk ka faj qeveria sepse ky problem është në gjithë botën sa i përket rritjes së çmimeve të produkteve. Zgjidhja është që sa më pak të dalin qytetarët nëpër kafe, me hangër më shumë nëpër shpija”, tha Krasniqi.