Krejt shkarkimet që ndodhën pas zgjedhjeve të 14 shkurtit nga pushteti i ri

Prishtinë | 14 Qer 2021 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkarkuar Valdete Dakën nga udhëheqja e KQZ-së. Me anë të një dekreti Osmani i ka përfunduar mandatin para kohe si kryetare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por që kur u votua Qeveria Kurti II e Osmani si presidente ka pasuar shumë shkarkime nga institucione të ndryshme të vendit.

Disa nga shkrimet u bën me vendime qeveritare, të tjerët me dekrete presidenciale dhe vendime të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Ndër shkarkimet më të bujshme që nga ardhja në pushtet e Vetëvendosjes për herë të dytë, është ai i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Me 65 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan bordin e AKP-së, për të cilët kryeministri Kurti tha se kanë vjedhur shumë.

Por, Kurti shkarkoi edhe disa borde të tjera ndonëse ka më pak se 100 ditë në krye të ekzekutivit.

Fatin e bordit të AKP-së e përjetoi edhe bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), që ishte emëruar nga Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, shkruan Reporteri.

Qeveria Kurti II shfuqizoi vendimin paraprak e bëri nën arsyetimin se përbërja e bordit nuk respektoi kuotën e nevojshme gjinore siç përcaktohet me Ligjin për Barazi Gjinore.

Javë më parë, Qeveria shkarkoi edhe krye shefin e Agjencisë për Regjistrim Civil, Bekim Hoxha, dhe ka pezulluar drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Edhe Berat Smakiqi, drejtor i Postës, u shkarkuar nga Bordi i përkohshëm i Postës që u emëruar nga Qeveria Kurti II.

As Policia e Kosovës nuk i shpëtoi valës së shkarkimeve, në të cilin institucion u shkarkua shefi i Hetimeve në Polici, Riza Shillova.

Ndërkaq me anë të dekreteve presidenciale, Presidentja Osmani pas konsultimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme, pati shkarkuar 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë duke lënë pa shef të misionit shumë përfaqësi diplomatike të vendit.

Madje Ambasada e Kosovës në Australi për shkak të këtij shkarkimi ka mbetur pa asnjë diplomat.

Kujtojmë që këtë të hëne Valdete Daka, ish-kryetarja e KQZ-së, u shkarkua nga Presidentja Osmani.

E menjëherë pas shkarkimit, Osmani dekretoi Kreshnik Radoniqin si kryesues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të ngjashme