Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka kujtuar sot ditën e kremtimit të shenjtërimit të Nënë Terezës, nëpërmjet një mesazhi në llogarinë e tij në Facebook.
Meta ka përmendur edhe njëherë veprën e saj të rëndësishme, që ka lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, ndërsa bëri thirrje që kjo ditë të shërbejë si ditë reflektimi.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, shkroi mes të tjerash Meta në mesazhin e tij, duke risjellë në kujtesë shprehjen e Shën Nënë Terezës dhe duke bërë thirrje për më shumë dashuri.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës së Shqipërisë:
“Dita e Shën Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë shqiptarët dhe botën katolike në tërësi!
Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore.
Dita e sotme, që shënon kremtimin e Shenjtërimit të saj, është një dite feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë.
Në shembullin e saj, kjo ditë na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë.
E bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë, me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj. Me mesazhin e saj nuk duhet të harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit.
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Le të na shërbejë kjo porosi e Shën Nënë Terezës, simbolit të çdo nëne shqiptare, si shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm, me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale.”